Kuvendi i Shqipërisë për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Nuk barazohet agresori me viktimën

Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë të përbashkët mbi vendimin e Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK).
Në deklaratën e lexuar gjatë seancës së sotme plenare nga kryeparlamentari Niko Peleshi, thuhet se Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit”, thuhet në deklaratë.
Më tej, theksohet se pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kundër pushtimit gjakatar serb”, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet dhe shtohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.
“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo ta barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së. Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit. Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mlladiqin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat evropiane”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, theksohet se Kuvendi qëndron kundër çdo “përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Millosheviqit dhe për ta delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”, si dhe thuhet se Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj.
“E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor”, thekson ndër të tjera deklarata.
Në fillim të seancës Peleshi theksoi se deklarata në fjalë ka dakordësinë e plotë të grupeve parlamentare në Kuvend.
Deputetët e grupit parlamentar të partisë opozitare, Partisë Demokratike, dhe disa deputetë të tjerë u paraqitën në seancë me simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veshjet e tyre.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, dënuan më 16 shtator me nga 25 vjet burgim të njehësuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, ndërsa me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe 13 vjet burgim Rexhep Selimin.
Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Gjykata Speciale konstatoi se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër ish-udhëheqësit e UÇK-së.



