Kush po i nxit protestat e dhunshme në Siri?

Në Siri, vendimi i qeverisë së presidentit Ahmed al Sharaa për të rritur sërish çmimin e karburantit ka shkaktuar protestat më të gjera kundër rritjes së kostos së jetesës që nga fundi i diktaturës së Bashar al Assadit në dhjetor të vitit 2024.
Këto rritje, më të fundit në një seri shtrenjtimesh të nisura prej muajsh, rëndojnë veçanërisht mbi një popullsi tashmë të rraskapitur nga dekada me radhë lufte civile dhe nga një krizë ekonomike shkatërruese.
Gjatë fundjavës, qeveria njoftoi një rritje çmimesh deri në 9 për qind për gazin e kuzhinës, deri në 25 për qind për benzinën dhe deri në 40 për qind për naftën.
Kjo do të thotë se benzina do të kushtojë 86 për qind më shumë se në shkurt – domethënë përpara fillimit të luftës në Lindjen e Mesme – ndërsa nafta do të kushtojë dyfishin.
Këto rritje do të përkeqësojnë më tej inflacionin, i cili ishte tashmë i lartë dhe pritet t’i afrohet nivelit 25 për qind në bazë vjetore.
Ministri i Energjisë premtoi se rritjet do të jenë të përkohshme dhe shpjegoi se ato janë pasojë e vështirësive të furnizimit për shkak të luftërave në rajon, si dhe e mbylljes së një rafinerie të rëndësishme në Siri për punime mirëmbajtjeje.
Protestat nisën të dielën, pak pas njoftimit zyrtar. Protestuesit dolën në rrugë, dogjën goma dhe bllokuan disa nga akset kryesore, përfshirë autostradën që lidh kryeqytetin Damask me qendrën industriale të Alepos, në veri-perëndim.
Protesta u zhvilluan në Idlib, Hama, Raqqa, Deir Ezzor dhe Hasakah. Në disa raste, manifestuesit u përpoqën të bllokonin kamionët e ngarkuar me naftë që udhëtonin drejt Sirisë qendrore, si dhe kërkuan dorëheqjen e ministrave të Energjisë dhe Ekonomisë, si dhe të kreut të kompanisë shtetërore të naftës.
Përhapja e këtyre protestave në një shkallë të tillë përbën gjithsesi një risi, duke pasur parasysh se regjimi i Assadit e shtypte me brutalitet çdo formë mospajtimi apo proteste.
Përpara luftës civile, Siria siguronte pjesën më të madhe të të me ardhurave pikërisht nga eksporti i naftës. Mirëpo, duke filluar nga viti 2011, gjërat ndryshuan rrënjësisht.
Për vite me radhë fushat e naftës në verilindje përfunduan nën kontrollin e grupeve rebele ose të ISIS, eksportet siriane u vendosën nën sanksione ndërkombëtare (amerikane dhe evropiane) dhe visa të tëra me infrastruktura u shkatërruan nga lufta.
Rrjedhimisht, prej vitesh Siria është plotësisht e varur nga importet, me gjithë rezervat e rëndësishme të naftës që zotëron (edhe pse jo të krahasueshme me eksportuesit e mëhenj të Lindjes së Mesme).
Siria importon naftë kryesisht nga Rusia. Megjithatë, gjatë muajve të fundit, sulmet ukrainase kundër infrastrukturës energjetike ruse kanë vënë në vështirësi të rëndë kapacitetet e furnizimit të brendshëm atje.
Impiantet e kanë reduktuar prodhimin dhe qeveria ruse ka vendosur të kufizojë eksportet e benzinës dhe naftës. Kësaj i shtohet edhe ndryshimi i aleancave gjeopolitike i ndërmarrë nga qeveria e re siriane.
Që nga marrja e detyrës në dhjetor të vitit 2024, presidenti Ahmed al Sharaa e ka afruar shumë Sirinë me Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore, të cilat përgjatë viteve 2025-2026 hoqën pjesën më të madhe të sanksioneve ekonomike dhe rivendosën marrëdhënie diplomatike që gjatë regjimit të Assadit do të ishin të pamendueshme.
Po ashtu, qeveria ia doli të rihapë bashkëpunimin me institucionet kryesore financiare perëndimore, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, si dhe mori promese për investime prej dhjetëra miliardë dollarësh nga vendet e Gjirit Persik.
Paralelisht, ai po e largon vendin nga Rusia, mbështetja e së cilës kishte qenë vendimtare për mbijetesën e diktaturës së Assadit (edhe sot e kësaj dite familja Assad fshihet në Moskë nën mbrojtjen e regjimit të Vladimir Putinit).
Por për momentin këto ndryshime nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm në jetën e përditshme të sirianëve: 90 për qind e popullsisë jeton nën pragun e varfërisë dhe 66 për qind në kushte të varfërisë ekstreme.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, një në katër persona është pa punë, ndërsa ata që punojnë e kanë pothuajse të pamundur të përballojnë qoftë edhe produktet më bazike të jetesës. \tesheshi.com\



