Festimi i 35-vjetorit të pavarësisë nën lupën e Antikorrupsionit – hapet lëndë për konflikt interesi

Festimi i 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut nën lupën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Është hapur lëndë për konflikt të mundshëm interesi, po ndiqet situata lidhur me financimin e festimit dhe institucioneve u bëhet thirrje të veprojnë nëse konstatohen parregullsi.

Nga KShPK-ja për TV 24 thonë se, pas informacioneve të publikuara në opinion dhe me iniciativë të vetë Komisionit, është hapur lëndë për një anëtar të Komisionit për përzgjedhjen e programit të festimit.

“KShPK-ja, nga aspekti i kompetencave të saj ligjore dhe si organ parandalues, e ndjek rastin. Nuk kemi hapur lëndë konkrete, kemi hapur vetëm lëndë në pjesën e konfliktit të interesit të njërit prej personave për të cilin u përmend se ka qenë anëtar i Komisionit dhe se ka marrë pjesë edhe si interpretues”, deklaroi Ademi Çuçul, kryetar i KShPK-së.

Bëhet fjalë për kryetarin e Komisionit për vlerësim, Nikollçe Micevski, i cili më vonë figuron edhe si autor i orkestrimeve për performancën e José Carreras në program.

Çuçul për TV 24 tha se KShPK-ja po i ndjek reagimet e opinionit dhe kërkesat për transparencë lidhur me shpenzimin e parave publike, ndërsa rasti po shqyrtohet. Ai u bëri thirrje organeve hetimore të hapin procedura nëse ka paligjshmëri në proces.

“Ne po e shqyrtojmë rastin, po ndjekim edhe shkrimet dhe reagimet në opinion. Besojmë se edhe organet e tjera kompetente, para së gjithash organet hetimore, po e ndjekin rastin dhe nëse vlerësojnë se ekzistojnë parregullsi të caktuara, do të hapin procedura në kuadër të kompetencave të tyre”, deklaroi Ademi Çuçul.

Ndërkohë, nga opozitarja LSDM edhe sot akuzuan se qeveria po ua fsheh të vërtetën qytetarëve dhe kërkuan që Prokuroria të hapë hetim për paratë e shpenzuara për festimin e pavarësisë.

“Prokuroria Publike duhet menjëherë të hapë hetim, të sigurojë të gjithë dokumentacionin dhe të ndjekë rrjedhën e parave dhe mënyrën se si janë marrë vendimet”, deklaroi Keti Shterjova nga LSDM-ja.

VMRO-DPMNE-ja iu përgjigj me kundërakuza. Ata pretendojnë se LSDM-ja dhe BDI-ja janë të mbrojtura nga të ashtuquajturit gjyqtarë dhe prokurorë “të tyre”.

“Prej vitesh shohim se si një pjesë e vogël e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar vepronin sipas parimit që për disa ligji të zbatohej menjëherë, ndërsa për njerëzit e LSDM-së dhe BDI-së, lënda të përfundonte ndryshe”, deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE-ja.

Sipas qeverisë, festimi i 35-vjetorit të pavarësisë së shtetit kushtoi 5.5 milionë euro nga Lotaria Shtetërore dhe 650 mijë euro nga kompanitë shoqërisht përgjegjëse.

Javën e kaluar, për më shumë se një orë e gjysmë, qeveria argumentoi se paratë nuk ishin para të qytetarëve, edhe pse vinin nga një kompani shtetërore. Ndërkohë, sa i përket kostos së secilit artist apo performancë, ende nuk ka të dhëna të detajuara.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button