Kurti takon të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, palët në takim diskutuan zhvillimet në raport me BE-në, situatën në rajonin e Ballkanit perëndimor, si dhe çështjet e dialogut, përkatësisht momentin aktual në këtë proces dhe pikëpamjet rreth rrugës përpara.
Në këtë kontekst, Kurti theksoi se Kosova i përmbahet angazhimit konstruktiv, ajo punon dhe synon paqe të qëndrueshme, siguri euro-atlantike, stabilitet afatgjatë e fqinjësi të mirë evropiane.
Duke iu përgjigjur të dërguarit Sorensen lidhur me çështjen e ngritur nga ai për kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të dorëhequr, Kurti tha se Qeveria e Kosovës afirmon dhe insiston në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, barazi të qytetarëve dhe përfshirje të të gjitha komuniteteve.
“Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë dhe të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumë-etnike të sistemit tonë demokratik. Tani rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumë-etnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në takim u adresuan edhe tema të tjera aktuale nga procesi i dialogut, duke potencuar rëndësinë e respektimit dhe mos-shkeljes së Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe të Aneksit të Zbatimit të Ohrit.



