Kurti: Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me nderimet shtetërore të organizuara në Serbi për Ratko Mlladiqin, ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid.

Kurti ka thënë ajo çfarë është parë dje në Beograd dëshmon se Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit.

Duke iu referuar ceremonisë së zhvilluar në Serbi, Kurti ka thënë se Ratko Mlladiqi ishte përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë, ku në korrik të vitit 1995 u vranë 8.372 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem.

Ai ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është i dokumentuar dhe i dëshmuar përmes varrezave masive, identifikimeve forenzike, dëshmive të të mbijetuarve dhe dokumentimit të operacionit të vrasjeve dhe fshehjes së trupave.

“Mlladiqi ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj”, shkroi Kurti në Facebook.

Kryeministri në detyrë ka krahasuar Mlladiqin me Slobodan Millosheviqin, të cilin e ka cilësuar si “kasap të Ballkanit”.

“Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar”, tha Kurti.

A është ndalur edhe te përgjegjësia e Serbisë lidhur me gjenocidin në Srebrenicë, duke përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2007.

Sipas tij, Gjykata konstatoi se Serbia kishte shkelur detyrimin e saj sipas Konventës për Gjenocidin për ta parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe se kishte dështuar të bashkëpunonte plotësisht me Tribunalin për ish-Jugosllavinë, përfshirë mosdorëzimin e Mlladiqit për gjykim.

“Shteti që për vite nuk e dorëzoi te drejtësia, dje e solli kufomën e tij me aeroplan qeveritar, e mbështolli me flamur dhe e përcolli me ushtri, ministra, klerikë të lartë e orkestër. Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, nënvizoi Kurti.

Sipas tij, ceremonia shtetërore në Serbi paraqet një ndryshim nga mohimi i gjenocidit drejt glorifikimit të tij.

“Me shërbimin e përlotur fetar të djeshëm të Patriarkut Porfirije te kufoma e Ratko Mlladiqit, Serbia po konfirmohet si teokraci militariste ku politikanët e tyre ftohen për tifozeri klubesh të ndryshme të ligës së njëjtë. Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”, tha Kurti.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button