Kurti: E vërteta për masakrat në Kosovë, e mbyllur në arkivat e Serbisë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, kryeministri Albin Kurti bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryediplomaten Donika Gërvalla dhe familjarë të të zhdukurve kanë bërë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Familjarët e të zhdukurve kanë shprehur zhgënjim me institucionet vendore dhe me ato ndërkombëtare rreth përpjekjeve në funksion të zbardhjes së fatit të tyre
E vërteta për një numër të madh të krimeve e masakrave të kryera në Kosovë gjendet në arkivat shtetërore të Serbisë, ka thënë të premten kryeministri Albin Kurti në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Pas homazheve që ka bërë pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, Kurti ka përsëritur thirrjen drejtuar Serbisë për t’i hapur arkivat ushtarake.

“Në vitin 2014, para dhjetë vjetëve, arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi për 30 vjet, kjo i bie që nuk do të hapet deri në vitin 2044… Aty është e vërteta, sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës. Andaj, ne u bëjmë thirrje edhe një herë faktorëve ndërkombëtarë që, ashtu siç na kanë ndihmuar, me trysni mbi Serbinë që të fillojë ky gërmim në Sanxhak midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, të merret një vendim i ri dhe arkiva e brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet”, ka theksuar Kurti.

E Bajram Qerkini, kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, ka shprehur zhgënjim si me institucionet vendore ashtu edhe me ato ndërkombëtare për sa u përket përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Sa kemi bërë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ne si familjarë jemi shumë të zhgënjyer, jemi jo të kënaqur me institucionet as vendore, as ndërkombëtare se fajin e ka Brukseli, ku ndërkombëtarët nuk e japin një urdhër që ata që dinë të na tregojnë ku janë më të dashurit tonë”, ka thënë Qerkini.

I pranishëm në homazhet e mbajtura pranë përmendores dedikuar personave të pagjetur, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, ka kërkuar nga institucionet dhe nga zyrtarët që t’i kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të zgjidhin çështjen e personave të zhdukur.
Në shënim të kësaj dite, kryeministri Kurti ka takuar edhe gratë e Krushës së Vogël, të cilat Qeveria i ka mbështetur me masën për fuqizim ekonomik dhe me të cilat ka diskutuar për arritjet dhe planet e ardhshme të këtyre nismave të vetëpunësimit

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi ndërsa deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

Më shumë se 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button