Kryeparlamentari Gashi takon Papuashvilin në Tbilisi: Forcojmë partneritetin mes dy vendeve

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tbilisi, të cilën e ka cilësuar si historike për marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë.

Gashi njoftoi se gjatë takimit me homologun e tij, kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili, është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe forcimin e kontakteve shtetërore.

“Takimi shënoi një moment të rëndësishëm në forcimin e kontakteve shtetërore dhe vendosjen e themeleve për një bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë”, deklaroi Gashi.

Sipas tij, si vizita e parë zyrtare në këtë nivel, bisedimet u përqendruan në zhvillimin e marrëdhënieve ndërparlamentare përmes diplomacisë parlamentare, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të kanaleve të reja të bashkëpunimit, si në planin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të forumeve shumëpalëshe.

Gashi bëri të ditur se në takim është diskutuar edhe për sfidat dhe perspektivat e proceseve të integrimit evropian, ndërsa ka shprehur mbështetjen e tij për partneritetin ndërmjet NATO-s dhe Gjeorgjisë.

“Shpreha mbështetjen time për partneritetin ndërmjet NATO-s dhe Gjeorgjisë, si një faktor i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, theksoi ai.

Në përfundim të vizitës, kryeparlamentari bëri të ditur se e ka ftuar homologun e tij për një vizitë kthyese në Shkup.

“Jam i bindur se kjo vizitë hap një kapitull të ri në marrëdhëniet tona”, u shpreh Gashi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button