Haxhiu kërkon fokus te strategjia për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së në Hagë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka kërkuar që vëmendja e institucioneve të përqendrohet në hartimin e strategjisë që do t’u shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e apelit në Hagë. Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu bëri të ditur se ka kërkuar seriozitet e profesionalizëm në këtë proces, teksa theksoi se tash komisioni për legjislacion ka katër javë kohë. Haxhiu tha se ekzistojnë dy interpretime juridike lidhur me procedurat që duhet të ndiqen pas kthimit të ligjit, duke theksuar se një grup juristësh vlerëson se Kuvendi mund vetëm ta votojë ose të mos e votojë atë, ndërsa grupi tjetër konsideron se mund të bëhen edhe ndryshime.
“Tashmë, Qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues për hartimin e strategjisë dhe unë gjithnjë kam kërkuar që e gjithë vëmendja të zhvendoset pikërisht tek kjo strategji, që do të duhej të përpilohej në atë mënyrë që t’i shërbej krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e Apelit. Kam kërkuar vëmendje, seriozitet e profesionalizëm që vëmendja dhe puna jonë të zhvendoset tek kjo strategji. Unë e kam adresuar kthimin e ligjit te Komisioni për Legjislacion, i cili ka katër javë kohë. Unë do ta takoj sot kryetarin e saj për të parë qëndrimet”, tha Haxhiu.



