Kryeministri i Katarit: Rrethanat e jashtme mund të ndikojnë në bisedimet SHBA-Iran

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani bëri thirrje sot për kujdes në mes të bisedimeve të vazhdueshme midis SHBA-së dhe Iranit, duke paralajmëruar se “rrethanat e jashtme” mund të ndikojnë ende në negociatat pavarësisht “vullnetit” të të dyja palëve, transmeton Anadolu.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, sepse pavarësisht vullnetit, ka rrethana të jashtme që mund të ndikojnë në negociatat”, tha Sheikh Mohammed për televizionin Al Jazeera.
Ai theksoi se memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar së fundmi midis SHBA-së dhe Iranit ndihmoi në ndalimin e luftës dhe hodhi themelet për negociatat. “Memorandumi u arrit pas përpjekjeve të rëndësishme me partnerët e Katarit në Pakistan dhe me mbështetjen rajonale”, shtoi ai.
Sipas tij, objektivi kryesor i memorandumit është ndalimi i luftës dhe krijimi i një kuadri për negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Memorandumi krijon “kornizë institucionale për procesin e negociatave” dhe kërkon që të dyja palët “të takohen rregullisht” për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, shtoi ai.
Kryeministri i Katarit tha se kuadri i paraqitur gjatë bisedimeve të së dielës në Zvicër ishte “pozitiv” dhe se diskutimet teknike po vazhdonin.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha sot se negociatat me SHBA-në në Zvicër, të lehtësuara nga Pakistani dhe Katari dhanë “progres të rëndësishëm” drejt përfundimit të luftës në Liban dhe lehtësimit të presionit mbi ekonominë e Iranit.



