Kryeministri i Japonisë do të japë dorëheqje

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, nuk do të synojë rizgjedhjen si lider i Partisë Liberale Demokratike (LDP) që është në pushtet, raporton “BBC”. Ai ka thënë se i duhet “një fillim i ri”.

67-vjeçari pritet të dorëhiqet edhe nga posti i kryeministrit pasi partia e tij ta zgjedhë liderin e ri në shtator.

Përkrahja për Kishidan, që ka qenë kryeministër që nga viti 2021, ka rënë pas skandalit të korrupsionit ku është përfshirë partia e tij, rritjes së kostos së jetesës dhe rënies së jenit.

“Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, është e nevojshme t’u tregojmë njerëzve se Partia Liberale Demokratike do të ndryshojë”, ka thënë Kishida në konferencë për media të mërkurën, ndërsa kumtoi vendimin e tij. “Një zgjedhje transparente dhe e hapur, dhe një debat i lirë dhe i hapur janë të rëndësishme. Hapi i parë i rëndësishëm për të kuptuar se LDP-ja do të ndryshojë është që unë të tërhiqem”.

Brenda partisë, ka pasur dyshime se Kishida mund të udhëheqë LDP-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vitin 2025. Partia ka qenë në pushtet gati vazhdimisht që nga viti 1955.
Por, megjithatë krerët e LDP-së janë befasuar me vendimin e Kishidas.

Një zyrtar i lartë ka thënë për televizionin japonez “NHK” se ka tentuar ta bindë Kishidan të kandidojë, por kryeministri ka thënë se do të ishte “e papërgjegjshme”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button