Kosovë, mbërrin grupi i parë i haxhinjve nga vendet e shenjta

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka mbërritur grupi i parë i haxhinjve nga Kosova, të cilët kanë përfunduar obligimin e haxhit në Mekë dhe Medine.
Familjarë, miq dhe të afërm të haxhinjve u mblodhën në orët e para të ditës së premte në aeroport për t’i pritur ata pas qëndrimit disajavor në vendet e shenjta në Arabinë Saudite.
Atmosfera në terminalin e mbërritjeve u karakterizua nga emocione, përqafime dhe urime për kthimin e sigurt të haxhinjve, të cilët u pritën me gëzim nga familjet e tyre.
Më 15 maj u nis grupi i parë i haxhinjve nga Prishtina, ndërsa pikërisht ky grup kthehet i pari në vendlindje.
Kthimi i haxhinjve do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, deri më 8 qershor kur pritet të aterojë në Kosovë edhe grupi i fundit.
Gjithsej nga Kosova për haxhin e vitit 2026 udhëtuan 1.576 besimtarë myslimanë.



