Kosovë, arrestohen 7 serbë në Graçanicë nën dyshimet për kërcënim të votuesve

Shtatë persona të nacionalitetit serb janë arrestuar të martën nga autoritetet kosovare në Komunën e Graçanicës nën dyshimet për “kërcënime, presion dhe shantazh” ndaj vullnetit të lirë të votuesve në prag zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, raporton Anadolu.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të martën se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë, ka ndërmarrë veprime hetimore pas raportimeve në media dhe deklarimeve të ministrit në detyrë për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me kërcënimin e votuesve në këtë komunë.
Prokuroria ka bërë të ditur se ka siguruar deklarata dhe prova të mjaftueshme që ngrenë dyshime për përfshirjen e tyre në veprime të kundërligjshme që ndërlidhen me këtë veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
– Sveçla: Akte të tilla që targetojnë drejtpërdrejt qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia
Pas arrestimit të këtyre personave, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se kërcënimet dhe presionet ndaj votuesve në Graçanicë burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia.
Sveçla mirëpriti aksionin e institucioneve të sigurisë për arrestimin e shtatë qytetarëve të nacionalitetit serb në Graçanicë, të cilët dyshohen se kanë tentuar të ndikojnë te votuesit përmes kërcënimeve, presionit dhe shantazhit.
“Akte të tilla që targetojnë drejtpërdrejt qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, të cilat cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik në vendin tonë”, deklaroi Sveçla.
Sipas tij, institucionet e Kosovës do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo përpjekjeje për frikësim të qytetarëve apo deformim të vullnetit politik.
Ministri Sveçla shtoi se zgjedhjet në Kosovë vazhdojnë të vlerësohen nga raportet ndërkombëtare për standardin e lartë të organizimit dhe garantimin e vullnetit të lirë të qytetarëve, pavarësisht “bllokadave të qëllimshme politike”.
– Lista Serbe thotë se arrestimet nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet e 7 qershorit
Lidhur me rastin ka reaguar edhe partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila në një konferencë për media tha se autoritetet kosovare kanë arrestuar institucione shëndetësore dhe arsimore dhe se me këto arrestime “drejtpërdrejtë ka marrë pjesë Nenad Rashiq, sepse ka targetuar serbët”.
Zyrtari i saj, Igor Simiq në konferencë për media vlerësoi se në këtë mënyrë po kryhet “integrim i dhunshëm” i institucioneve shëndetësore dhe arsimore. Ai tha se këto institucione në mjediset serbe funksionojnë në sistemin e Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që kanë mbetur, pasi gjatë dy viteve të fundit të gjitha të tjerat janë mbyllur nga autoritetet e Kosovës, me arsyetimin se janë “paralele dhe ilegale”.
Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë është hapur në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti deklaroi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se nevojitet “inkorporimi dhe bashkimi i tyre”.
“Këto arrestime të sotme nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet, kjo është një përpjekje për të sulmuar shëndetësinë dhe arsimin serb dhe nga ana tjetër, nëse flasim për zgjedhjet, për t’i ndihmuar Nenad Rashiqit që me forcë t’i fitojë votat e popullit serb”, tha Simiq.
Lidhur me këto arrestime kanë reaguar edhe autoritetet në Serbi, ku zëvendëskryeministri dhe ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq deklaroi se “të gjithë personat që me veprimet e tyre kanë kontribuar në ndalimin e pesë serbëve, drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të Republikës së Serbisë nga pjesa qendrore e Kosovës, do të ndiqen dhe sanksionohen në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë”, njoftoi MPB e Serbisë.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha sot se i kishte njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe të dërguarin e BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen, për këto arrestime, duke iu kërkuar “të angazhohen urgjentisht në këtë çështje”.
Ministri në detyrë Rashiq, i cili është edhe lider i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, tha më 14 maj në mbledhjen e Qeverisë se rreth 20 persona që e mbështesin atë janë larguar nga puna dhe se në periudhën e ardhshme pritet që edhe rreth 40 persona të tjerë të marrin vendime për largim nga puna vetëm në territorin e komunës së Graçanicës për shkak të presioneve nga Serbia.
Rashiq pretendon se simpatizantët dhe anëtarët e partisë së tij po ndalohen në pikat kufitare me Serbinë nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), ku pyeten se për kë do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, ndërkaq Lista Serbe i mohoi këto pretendime, duke thënë se Rashiq nuk ka legjitimitet dhe se po përpiqet të “arsyetojë” humbjen në zgjedhjet e ardhshme.

