Korridori 8 dhe autostrada Kërçovë–Ohër, afati shtyhet deri në 2029

Delegacion qeveritar kreu mbikëqyrje në punimet e Korridorit 8 nga Tetova deri në Ohër. Punime po realizohen në të gjitha seksionet. Nga Tetova deri në Gostivar autostrada do të jetë e gjatë 17.5 km, me 3 korsi në të dy drejtimet, dy për lëvizje dhe një ndihmëse. Po bëhet dislokimi i instalimeve nëntokësore dhe e gypave për ujitje. Në këtë pjesë është kryer shpronësimi i mbi 3 mijë parcelave ndërsa projekti total pritet të kushtojë 90milion euro. Një nga pjesët më të vështira është ajo nga Gostivari në Bukojçan. Për momentin po punohet në 11 kilometra nga gjithsej 31 ndërsa të gjitha punimet pritet të kushtojnë 580 milion euro. Edhe kjo pjesë do të jetë me 3 korsi. Nga Tetova deri në Bukojçan punimet i realizon Bektel-Enka. Ministri i Transportit thotë se më herët në disa zona nuk janë realizuar fare hulumtime gjeoteknike.

“Kemi dy pjesë specifike, njëra pjesë është ajoi që shkon mbi qytetin e Kërçovës deri në hyrje të tuneleve në Presekë. Këtu kemi stabilizim me ndërtimin e galerive të cilat janë më moderne dhe këtu shkojmë nga objekti në objekt ku kemi urë, galeri, stabilizim të shpatit, e përsëri urë dhe në fakt hyrja në tunele. Kjo është një mrekulli inxhinierike dhe paralelisht me atë është edhe problemi në fshatin Botun, ku për fat të keq deri në fund të vitit 2024, aspak nuk janë realizuar hulumtime gjeoteknike dhe hulumtimet na treguan se toka është e cilësisë së keqe për projekt kaq të madh infrastrukturor.” – Aleksandar Nikolloski, Ministër i Transportit.

Ndërkohë siç njoftoi ministri i Transportit, nga Bukojçani deri në Kërçovë mungonte projekti për 11 kilometra, përkatësisht nuk ishte paraparë autostradë dhe për këtë qëllim është përgatitur projekt i ri me Bankën Evropiane. Për këtë trase nuk është përzgjedhur ende kompania realizuese. Ndërkohë nga Kërçova deri në Ohër punimet ndërtimore kanë nisur që në vitin 2014, ndërsa duhej të përfundonin në vitin 2018, megjithatë afatet vazhdimisht janë shtyrë. Shtyrja ka rritur dhe koston. Nga 375 milionë eurot e parapara, shpenzimet kanë mbërritur në 770 milionë euro. Punimet realizohen nga kompania kineze Sinohidro me kompani vendore. Autoritetet së fundmi siguruan para nga bankat e vendit me qëllim të realizimit të projektit, pasi banka kineze Eksim ndërpreu financimin.

I tërë korridori nga Shkupi deri në Ohër pritet të jetë i gjatë 155 km dhe koha e arritjes të përgjysmohet nga 3 në 1 orë e gjysmë. Tetovë – Gostivar – Bukojçan pritet të jetë gati deri në fund të vitit 2029 ndërsa Kërçovë – Ohër deri në fillim të vitit 2027,” raportoi gazetari Zekirja Haxhiu.

Nga Ministria e Transportit gjithashtu njoftuan se po planifikojnë ndryshime në mënyrën e pagesës rrugore dhe shqyrtohet zbatimi i modelit të Serbisë, përkatësisht shuma e pagesës të varet nga kilometrat e kaluara në autostradë dhe kategoria e automjetit. /Alsat/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button