Koreja e Veriut rishikon Kushtetutën heq zyrtarisht të gjitha referencat për ribashkimin e Koreve

Koreja e Veriut ka rishikuar Kushtetutën e saj për të hequr zyrtarisht të gjitha referencat për ribashkimin e Koreve dhe për të ripërcaktuar pretendimet e saj territoriale, duke shënuar një ndryshim të madh në doktrinën e saj kombëtare, raportoi sot “Yonhap News” e Koresë së Jugut, transmeton Anadolu.
Kushtetuta e përditësuar zëvendëson gjuhën e mëparshme mbi “ribashkimin paqësor” dhe “unitetin kombëtar” me dispozita që e përcaktojnë Korenë e Veriut si një shtet të veçantë me kufij të përcaktuar qartë me Korenë e Jugut në jug dhe Kinën dhe Rusinë në veri, së bashku me zonat përreth detare dhe ajrore.
Megjithatë, dokumenti shmang specifikimin e kufirit detar të diskutueshëm në Detin e Verdhë, përfshirë Vijën Kufitare Veriore, një pikë e nxehtë e gjatë midis dy Koreve.
Koreja e Veriut e miratoi për herë të parë Kushtetutën e saj në shtator 1948 dhe e ndryshoi atë pesë herë para se të prezantonte një kartë socialiste në vitin 1972. Pas 12 ndryshimeve shtesë, e rishikoi dokumentin përsëri në mars, duke hequr fjalën “socialist” nga titulli.
Në të njëjtën kohë, roli i udhëheqësit Kim Jong Un është forcuar ndjeshëm. Kushtetuta tani e përcakton kreun e shtetit si autoritetin suprem, përfshirë komandën e drejtpërdrejtë mbi forcat bërthamore dhe kompetencat e zgjeruara mbi institucionet shtetërore.
Gjithashtu, sipas raportit, Kushtetuta hoqi dorë nga arritjet e themeluesit të ndjerë të shtetit Kim Il-sung dhe Kim Jong-il, babait të ndjerë të udhëheqësit aktual të vendit.
Kushtetuta nuk e përcakton Korenë e Jugut si një “armik kryesor” në kundërshtim me pritjet se do të ndiqte vërejtjet e mëparshme të Kim-it që e përshkruanin Seulin si një shtet armik.
Rishikimi gjithashtu i heq Asamblesë Supreme Popullore fuqinë për të shkarkuar presidentin e Komisionit të Çështjeve Shtetërore, në këtë rast, Kim-in duke i dhënë fund në mënyrë efektive rolit të saj formal mbikëqyrës.



