Komisioneri i OKB-së u bën thirrje shteteve ta sfidojnë Izraelin
Komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, ka thënë të hënën se përfundimi i luftës gati njëvjeçare në Gazë është prioritet dhe u ka kërkuar vendeve të veprojnë rreth asaj që ai e quajti “mospërfillje të hapur” të Izraelit ndaj të drejtës ndërkombëtare në territoret e pushtuara palestineze.
Gati 50 mijë palestinezë janë vrarë në Gazë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë, që kur Izraeli nisi fushatën ushtarake si kundërpërgjigje e sulmeve të Hamasit më 7 tetor, ku u vranë 1200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 250 të tjerë, shkruan Reuters.
“Përfundimi i asaj lufte dhe shmangia e konfliktit rajonal është prioritet absolut dhe urgjent”, ka thënë Turk, në një fjalim në hapjen e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. “Shtetet nuk duhet ta pranojnë mospërfilljen e hapur të të drejtës ndërkombëtare, përfshirë shkeljen e vendimeve të Këshillit të Sigurisë së OKB-së dhe urdhrat nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në këtë ose në ndonjë situatë tjetër”.
Ai ka cituar një opinion të lëshuar nga gjykata e lartë e OKB-së në korrik, që e ka quajtur pushtimin e Izraelit ilegal dhe ka thënë se situata duhet të “trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse”. Izraeli e ka mohuar opinionin dhe e ka quajtur të njëanshëm.
Turk i bëri komentet në një fjalim që shënoi mesin e mandatit të tij katërvjeçar si shef i të drejtave të OKB-së, ku ai përshkroi sfida masive në mbarë botën dhe krizën e udhëheqjes politike.
“Në çdo rajon të botës, shohim dinamika, përpjekje për ta mbajtur ose për tu ngritur në pushtet, në kurriz të të drejtave universale të njeriut”, ka thënë ai në fillim të sesionit 5 javor, kur do të debatohen edhe shkeljet e të drejtave në Sudan, Afganistan dhe Ukrainë.