Kolonët izraelitë rrëmbejnë dy fëmijë palestinezë dhe i lidhin pas një peme

Të shtunën, kolonë izraelitë rrëmbyen dy fëmijë palestinezë dhe i lidhën pas një peme pranë qytetit Nablus, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Ngjarja ndodhi në orët e pasdites, teksa një grup fëmijësh po luanin pranë shtëpive të tyre në periferi të Beit Furik, në lindje të Nablusit. Një grup kolonësh iu afrua dhe rrëmbeu dy prej fëmijëve.

Banorët lokalë arritën të ndjekin kolonët dhe t’i shpëtojnë fëmijët. Megjithatë, fëmijët mbetën në një gjendje të rënduar psikologjike.

Muhamed Hanani, xhaxhai i fëmijëve, i tha Middle East Eye se dy vajzat e tij dhe kushërinjtë e tyre po luanin jashtë kur një grup kolonësh zbriti nga një vendbanim i ri i ngritur mbi tokat e fshatit.

Kolonët rrëmbyen 13-vjeçaren Maryam dhe vëllain e saj trevjeçar Ahmed, duke i çuar në një zonë të largët dhe duke i lidhur pas një peme ulliri. Një kushëri i tyre tentoi të ndërhynte, por kolonët e sulmuan me gurë.

“Dy vajzat e mia erdhën duke qarë e ulëritur, kështu që i ndoqëm kolonët. I gjetëm fëmijët pa ndjenja dhe të lidhur pas një peme,” tha ai. “Kolonët kishin ikur me një katërçikël drejt vendbanimit të paligjshëm. I zgjidhëm fëmijët dhe i çuam menjëherë në qendrën shëndetësore.”

Edhe pse fëmijët nuk kanë marrë lëndime fizike, ata janë në një gjendje ekstreme frike dhe tronditjeje psikologjike.

“Vajza ime, që e pa ngjarjen me sytë e saj, ende refuzon të dalë nga shtëpia dhe qan gjatë gjithë kohës.”

Sirenat e alarmit

Kjo është ngjarja e parë e raportuar e rrëmbimit të fëmijëve nga kolonët në këtë fshat, i cili është përballur me sulme të vazhdueshme që nga krijimi i vendbanimit të ri pas nisjes së luftës në Gaza.

Hanani tha se muajt e fundit, kolonët i kanë djegur makinën dhe kamionin e punës, i kanë vënë zjarrin të mbjellave dhe e kanë sulmuar shtëpinë e tij me gurë.

“Dëmet materiale po na i kompensojnë disi, por rrëmbimi dhe sulmimi i fëmijëve ndez alarmin dhe rrezikon jetët tona në mënyrë të drejtpërdrejtë,” tha ai.

Sipas tij, qëllimi i këtyre sulmeve është që t’i detyrojnë palestinezët të largohen nga toka dhe shtëpitë e tyre, për t’ua lënë rrugën e hapur kolonëve izraelitë.

Banorët thanë se ushtria izraelite nuk ishte e pranishme në asnjë moment gjatë incidentit – ndonëse reagon me shpejtësi kur kolonët ndihen të rrezikuar kudo në Bregun Perëndimor.

Në korrik të vitit 2014, kolonë izraelitë rrëmbyen adoleshentin palestinez Mohammed Abu Khdeir nga Shuafati në Jerusalemin Lindor të pushtuar. Ata e çuan në një zonë të pyllëzuar, ku e torturuan dhe më pas e dogjën për së gjalli.

Sulmet e kolonëve ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre në Bregun Perëndimor janë intensifikuar nën qeverinë aktuale ultranacionaliste. Që nga ardhja e saj në pushtet në vitin 2022, janë regjistruar nivelet më të larta të konfiskimit të tokës, sulmeve ndaj pronarëve, vjedhjes së bagëtive dhe ngritjes së vendbanimeve të reja të paligjshme.

Ajo që e veçon këtë qeveri është niveli i mbështetjes dhe inkurajimit që i jep kolonëve – qoftë duke i pajisur me armë apo duke financuar ngritjen e vendbanimeve të reja. Kjo përkrahje i ka fuqizuar dhe inkurajuar kolonët të sulmojnë palestinezët me qëllim zhvendosjen e komuniteteve dhe aneksimin e tokave të tyre.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button