Klekovski: Epidemia në Gostivar po qetësohet, fokusi tani te hepatiti A dhe E

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka njoftuar sot se faza akute e epidemisë në Gostivar gradualisht po qetësohet, por autoritetet shëndetësore do të vazhdojnë me mbikëqyrje të shtuar për shkak të mundësisë së shfaqjes së sëmundjeve të reja infektive.

Në konferencën e sotme për media, Klekovski tha se gjatë katër ditëve të fundit numri i kontrolleve të para mjekësore ka lëvizur nga 80 deri në 125 raste në ditë. Megjithatë, sipas tij, ende nuk mund të përcaktohet saktësisht se sa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me epideminë dhe sa janë pjesë e gjendjes së zakonshme shëndetësore.

“Në muajin korrik, sipas të dhënave shumëvjeçare, mesatarja në Gostivar ka qenë rreth 25 paraqitje të sëmundjeve infektive. Prandaj, analizat epidemiologjike duhet të tregojnë se cilat raste janë pasojë e epidemisë dhe cilat janë dukuri të zakonshme”, tha Klekovski.

Sipas të dhënave të fundit, janë regjistruar 869 raportime zyrtare, ndërsa hetime epidemiologjike janë kryer me 602 persona. Ministri përsëriti apelin që qytetarët të bashkëpunojnë me shërbimet shëndetësore, në mënyrë që situata të monitorohet me kujdes.

Në konsultim me Komisionin për Sëmundje Infektive është vendosur që në fazën pas akute të epidemisë të vendoset mbikëqyrje shëndetësore. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zbulimit në kohë të hepatitit A, hepatitit E dhe sëmundjeve të tjera infektive që mund të shfaqen pas përfundimit të epidemisë.

Klekovski bëri të ditur se Qendrës për Shëndet Publik, institucioneve shëndetësore dhe mjekëve amë do t’u dërgohen udhëzime për veprimet e mëtejshme, si dhe rekomandime për informimin e qytetarëve.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë do të nisë një analizë më të detajuar të rrjedhës së epidemisë, duke përdorur të dhënat nga sistemi zyrtar për raportimin e sëmundjeve infektive, si dhe të gjitha rastet e evidentuara me diagnoza të lidhura me enterokolitin dhe sëmundje të ngjashme nga 1 qershori e tutje.

“Qëllimi është të përcaktohet në mënyrë objektive dhe të paanshme se si është zhvilluar epidemia dhe si ka reaguar sistemi, pas së cilës opinioni publik do të informohet në detaje”, deklaroi ministri.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button