Kinë, ish-zyrtari i mbrojtjes dënohet me 10 vjet burg për ryshfet

Një gjykatë kineze dënoi sot një ish-zyrtar të lartë të rregullatorit të industrisë së mbrojtjes të vendit me 10 vjet burg për ryshfet, si pjesë e një fushate më të gjerë kundër ryshfetit në sektorin e mbrojtjes dhe ushtrinë e Kinës, transmeton Anadolu.
Zhang Jianhua, ish-zëvendës kreu i Administratës Shtetërore të Shkencës, Teknologjisë dhe Industrisë për Mbrojtjen Kombëtare, u dënua nga një gjykatë në provincën Sichuan, raportoi gazeta “China Daily”.
Gjykata zbuloi se nga viti 2008 deri në vitin 2025, Zhang pranoi ilegalisht më shumë se 55 milionë juanë (8.15 milionë dollarë) gjatë mandatit të tij, si dhe pas daljes në pension.
Gjithashtu gjykata zbuloi se nga viti 2021 deri në vitin 2025, pas daljes në pension, Zhang shfrytëzoi ndikimin e pozicioneve të tij të mëparshme për të ndihmuar të tjerët të merrnin përfitime të pahijshme në operacionet e biznesit dhe kontraktimin e projekteve, duke pranuar më shumë se 11.7 milionë juanë ryshfet.
Dënimi i Zhangut vjen në kohën e fushatës shumëvjeçare kundër korrupsionit të presidentit Xi Jinping, e cila ka parë që shumë gjeneralë të lartë dhe zyrtarë të lartë të hetohen dhe të shkarkohen.
Në përgjithësi, afërsisht 52 për qind e pozicioneve të larta të Ushtrisë Çlirimtare Popullore kanë parë zyrtarë të hetuar ose të spastruar në vitet e fundit, duke reflektuar një tronditje të paprecedentë nën presidentin Xi.
Në qershor, Kina hoqi gjashtë oficerë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, ish-kreun e rregullatorit financiar Li Yunze dhe anëtarin e Byrosë Politike Ma Xingrui nga pozicionet e tyre në legjislaturën kombëtare.
Në shkurt, nëntë zyrtarë të lartë ushtarakë u hoqën nga Kongresi Popullor Kombëtar.



