Keyeparlamentari Gashi takon Mendi Qyrën, në fokus bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Komunës së Strugës

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë vizitës së tij në Strugë zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ku u diskutua për çështje me rëndësi për komunën dhe nevojat e qytetarëve.

Sipas Gashit, në takim u trajtuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe pushtetit lokal, me qëllim adresimin më efikas të sfidave me të cilat përballen qytetarët.

“Diskutuam për çështje aktuale me rëndësi për komunën, nevojat e qytetarëve dhe mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit midis Kuvendit dhe vetëqeverisjes lokale”, deklaroi Gashi.

Ai bëri të ditur se një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua mundësisë për hapjen e zyrave parlamentare në Strugë, të cilat do të shërbenin si urë lidhëse ndërmjet deputetëve dhe qytetarëve.

“Diskutuam në veçanti për mundësinë e hapjes së zyrave parlamentare për kontakt me qytetarët në Komunën e Strugës, në mënyrë që Kuvendi dhe deputetët të jenë më të arritshëm, më afër dhe më të hapur ndaj qytetarëve”, theksoi kryeparlamentari.

Gashi vlerësoi se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe bashkëpunimi me komunat janë elemente të rëndësishme për funksionimin më efektiv të institucioneve dhe për rritjen e besimit të qytetarëve në proceset demokratike.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button