Kasami: Drejtësia duhet të konfirmojë pafajësinë e liderëve të UÇK-së

Bashkëkryetari i VLEN-it, njëherësh kryetar i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, dinjitet dhe çlirimin e popullit shqiptar.
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, Kasami ka shprehur pritshmërinë që procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë të përfundojë me një vendim që, sipas tij, do të konfirmojë pafajësinë e tyre.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, për dinjitet dhe për çlirimin e popullit tonë”, ka shkruar Kasami.
Duke iu referuar procesit në Hagë, ai ka theksuar se procedura ndaj komandantëve të UÇK-së duhet të përfundojë dhe ka kërkuar një vendim të drejtë.
“Procesi i padrejtë dhe kundërthënës ndaj komandantëve të UÇK-së në Hagë, duhet të përfundojë nesër dhe ne presim që të merret një vendim i drejtë që do të konfirmojë pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës”, deklaroi Kasami.
Ai ka kundërshtuar barazimin e luftës për çlirim me krimin dhe ka kritikuar përdorimin e sakrificës së luftës si agjendë politike.
“Lufta për liri nuk mund të barazohet me krimin; viktima me dhunuesin, ndërsa sakrifica për çlirimin e Kosovës nuk duhet të kthehet në agjendë politike për kundërshtuesit e pavarësisë dhe shtetshmërisë së Kosovës”, theksoi ai.
Kasami ka deklaruar se liria e Kosovës është arritur përmes sakrificës dhe guximit, ndërsa ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë i ka cilësuar si bartës të kësaj trashëgimie.
“Liria e Kosovës u fitua me sakrificë, guxim dhe gjak. Emrin e lirisë sot e bartin me guxim e dinjitet liderët tanë që padrejtësisht ndodhen në Hagë”, shkroi Kasami.
Në përfundim të mesazhit të tij, ai ka theksuar se momenti i së vërtetës po afrohet dhe ka përsëritur rëndësinë që, sipas tij, kanë liria, drejtësia dhe dinjiteti i Kosovës.
“Për ne, liria e Kosovës nuk është thjesht një fjalë, është amanet”, përfundoi Kasami.



