Kanalet “Arena” punojnë pa licencë, ndërsa Agjencia për Media e toleron këtë, akuzojnë televizionet kombëtare dhe RTM

Pesë televizionet kombëtare maqedonase, të bashkuara në Asociacionin Mediatik të Maqedonisë (AMM), së bashku me servisin publik RTM, akuzojnë se përmes shërbimeve të reja televizive kompanitë serbe po keqpërdorin dhe po anashkalojnë ligjet e Maqedonisë së Veriut.

Sipas AMM-së dhe RTM-së, ata kanë prova materiale se kanalet sportive “Arena M1”, “Arena M2” dhe “Arena M3 Premium” për një periudhë më të gjatë funksionojnë pa licencë vendore. Ata pretendojnë se rregullatori maqedonas, AVMU, i trajton këto kanale si shërbime të huaja programore që ritransmetohen në vend.

Megjithatë, sipas tyre, produksioni, gazetarët, komentatorët dhe mysafirët janë në Shkup, ndërsa emisionet në studio prodhohen në vend dhe programi transmetohet në gjuhën maqedonase. AMM dhe RTM gjithashtu theksojnë se këto kanale nuk figurojnë në evidencën e rregullatorit serb REM, duke ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për kanale vendase serbe.

Në evidencat e operatorëve të miratuara nga AVMU, këto kanale figurojnë si shërbime të huaja që transmetojnë program në gjuhën serbe.

AMM dhe RTM kërkojnë nga organet kompetente të hetojnë nëse është anashkaluar detyrimi ligjor për pajisje me licencë, nëse buxheti i shtetit ka pësuar dëm për shkak të mospagesës së licencës dhe nëse ekziston përgjegjësi te pronarët, personat përgjegjës të shërbimeve televizive apo zyrtarët e AVMU-së.

Ata kërkojnë gjithashtu të kontrollohet edhe përdorimi eventual i paautorizuar i të drejtave televizive për transmetimin e sporteve premium, që njihet si pirateri televizive.

AMM dhe RTM paralajmërojnë se nuk do të lejojnë që i njëjti model të zbatohet edhe ndaj projektit të paralajmëruar “Euronews Macedonia”, duke kërkuar që edhe ky shërbim të mos trajtohet si kanal i huaj në mënyrë të ngjashme me “Arena Premium”.

“Paligjshmëria që sot tolerohet si përjashtim, nesër mund të bëhet rregull”, thuhet në komunikatën e përbashkët. AMM dhe RTM paralajmërojnë se do t’i drejtohen Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të hetuar veprimet dhe përgjegjësinë eventuale të personave kompetentë në AVMU.

Për rastin reagoi edhe opozitarja LSDM, e cila tha se komunikata e AMM-së dhe RTM-së konfirmon akuzat që kjo parti i ka bërë prej disa muajsh. Nga LSDM akuzojnë pushtetin për lejimin e rritjes së ndikimit të industrisë mediatike serbe në Maqedoninë e Veriut dhe deklarojnë se i mbështesin kërkesat e televizioneve kombëtare dhe servisit publik.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button