Kallëzim nga Antikorrupsioni në Prokurorinë Publike ndaj ish-anëtarëve të bordit drejtues dhe mbikëqyrës të TEC Negotinë

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit vendosi të dorëzojë kallëzim në Prokurorinë Publike kundër ish-anëtarëve të bordit drejtues dhe mbikëqyrës të TEC “Negotinë”.
I gjithë dokumentacioni do t’i dorëzohet për procedim Prokurorisë Publike, vendosi KSHPK për lëndën, të cilën në seancën e sotme e prezantoi anëtari i KSHPK-së, Servet Demiri.
– Në KSHPK ka arritur një kallëzim nga një denoncues anonim kundër personave nga ish-bordi drejtues i SHA TEC “Negotinë”. Personat e denoncuar të përmendur në kallëzim kanë qenë anëtarë të ish-bordit drejtues të SHA-së, ndërsa njëkohësisht kanë mbajtur edhe pozita drejtuese në njësitë organizative të TEC “Negotinë”. Pas ndryshimit statusor dhe bashkimit të SHA TEC “Negotinë” me SHA ESM – Shkup, pas përfundimit të funksioneve si anëtarë të bordit drejtues, këta persona kanë mbetur në marrëdhënie pune në SHA, gjë që ka qenë e paligjshme, pasi punësimi në shoqëritë tregtare në pronësi shtetërore bëhet vetëm përmes konkursit publik. Arsyetim për këtë mënyrë punësimi kanë qenë kontratat menaxheriale, në bazë të të cilave u është mundësuar të zgjedhin nëse do të mbeten në SHA apo do të kthehen në vendet e mëparshme të punës prej nga kishin ardhur para emërimit. Për më tepër, sipas kallëzimit, personat kanë marrë mjete financiare në formë apanazhi, në bazë të kontratave menaxheriale, në vlerë prej 12 pagash të plota, që përbënin të ardhura shtesë krahas pagës së rregullt që merrnin. Kjo do të thotë se si të punësuar në SHA kanë marrë pagë mujore të rregullt dhe plus edhe një pagë shtesë sipas kontratave menaxheriale. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, KSHPK konstatoi se pretendimet konfirmohen dhe, në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, ndaj personave të denoncuar do të iniciohet procedurë pranë organit kompetent – informoi Demiri, i cili së bashku me anëtarët e tjerë të KSHPK-së morën vendim unanim për dorëzimin e kallëzimit në Prokurorinë Publike kundër ish-anëtarëve të bordit drejtues dhe mbikëqyrës të SHA TEC Negotinë.
Në seancën e sotme, KSHPK shqyrtoi disa kallëzime nga denoncues anonimë dhe të njohur, si dhe lëndë të iniciuara me vetiniciativë nga anëtarët e KSHPK-së, të lidhura me mosdorëzimin e deklaratave për gjendjen pasurore nga persona të zgjedhur dhe të emëruar, raste korrupsioni dhe konflikti interesi në fusha të ndryshme.

