Izraeli shpall qytetin Hebron të Bregut Perëndimor të pushtuar “zonë ushtarake” pas sulmit vdekjeprurës në Jaffa
Ushtria izraelite ka shpallur qytetin Hebron në Bregun Perëndimor të pushtuar një zonë të mbyllur ushtarake pas një sulmi vdekjeprurës me të shtëna në Jaffa që rezultoi në shtatë të vdekur dhe disa të plagosur, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve ushtarake izraelite, vendimi erdhi pasi dy personat përgjegjës për sulmin në Jaffa, përkatësisht në jug të Tel Avivit, ishin nga Hebroni.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA tha se forcat izraelite rrethuan Hebronin, duke mbyllur pikat e hyrjes dhe daljes në qytet, si dhe duke kryer bastisje në lagje të ndryshme.
WAFA po ashtu tha se në pjesën veriore të Hebronit, pranë urës Halhul, forcat izraelite qëlluan me municion të vërtetë ndaj një grupi të rinjsh palestinezë, duke plagosur njërin prej tyre.
Në përgjigje të sulmit në Jaffa, ministri i Financave i ekstremit të djathtë i Izraelit, Bezalel Smotrich, bëri thirrje që familjet e sulmuesve që jetojnë në Hebron të dëbohen në Gaza.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar për shkak të ofensivës së pamëshirshme gati njëvjeçare të Izraelit ndaj Rripit të Gazës, e cila ka vrarë më shumë se 41.600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Konflikti u përhap edhe në Liban, me Izraelin që nga 23 shtator nisi sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, të cilat kanë vrarë më shumë se 1 mijë njerëz dhe kanë plagosur afro 3 mijë të tjerë.
Izraeli gjithashtu po shënjestron Iranin, duke përshkallëzuar më tej tensionet në rajon.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.