Izet Mexhiti: Përgjegjësia jonë është t’u sigurojmë fëmijëve arsim cilësor në gjuhën shqipe
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka folur për rëndësinë e arsimit në gjuhën shqipe dhe cilësinë e teksteve shkollore, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Alfabetit”, të organizuar nga ITShKSh.
Mexhiti theksoi se, 118 vjet pas Kongresit të Manastirit, përgjegjësia institucionale është që fëmijëve t’u sigurohet arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe tekste shkollore të sakta e të kuptueshme.
“Një libër shkollor është ndër takimet e para të fëmijës me gjuhën e shkruar, shkencën dhe historinë. Ai duhet të jetë i saktë, i qartë dhe i kuptueshëm, duke i nxitur nxënësit të arsyetojnë, të shtrojnë pyetje dhe të ndërtojnë mendimin e tyre.
Prandaj, hartimi, përkthimi dhe vlerësimi i teksteve kërkojnë punë serioze profesionale. Në këtë proces, përvoja e mësimdhënësve duhet të ketë rol të drejtpërdrejtë, krahas kontributit të pedagogëve, gjuhëtarëve dhe specialistëve të fushave përkatëse.
Brezi i Manastirit përmbushi detyrën e kohës së vet. Detyra jonë është t’u sigurojmë fëmijëve arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe mundësi për të ecur përpara përmes dijes”, ka shkruar Izet Mexhiti.


