Enis Zekiri: Premtimi po bëhet realitet, nesër nis asfaltimi i rrugës 38 në Shuto Orizare

Këshilltari i VLEN-it në Komunën e Shuto Orizares, Enis Zekiri ka bërë të ditur se nesër nisin punimet për asfaltimin e rrugës 38, një zotim që ai e kishte dhënë personalisht gjatë fushatës zgjedhore.
Zekiri në postimin në Fejsbuk ka theksuar se rruga 38 do të marrë pamjen e merituar, duke e cilësuar këtë projekt si një tjetër dëshmi se premtimet ndaj qytetarëve duhet të realizohen me punë dhe përkushtim.
“Projekti financohet nga Qyteti i Shkupit nën udhëheqjen e kryetarit Orce Gjorgjievski në bashkëpunim me Komunën e Shuto Orizares”, ka thënë Zekiri.
Ndërkohë, ka sqaruar se për shkak të kushteve kohore, asfaltimi i rrugës 37 do të shtyhet dhe pritet të realizohet në fillim të vitit 2027.
Në mesazhin e tij drejtuar banorëve, këshilltari i VLEN-it ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe besimin, duke theksuar se përgjegjësia ndaj tyre dëshmohet përmes realizimit të premtimeve.



