Izet Mexhiti diskuton me Halil Kastratin për ndërtimin e shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta në Çair

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë një vizite në Kosovë ka takuar Halil Kastratin, me të cilin ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit për ndërtimin e shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta, “Idnina – E ardhmja”, në Çair.
Mexhiti bëri të ditur se projekti parasheh ndërtimin e një objekti prej rreth 2.000 metrash katrorë, me kapacitet për 200 fëmijë dhe investim të parashikuar prej rreth 2 milionë eurosh.
“Një shkollë që do të ofrojë hapësira të përshtatshme për mësim, terapi dhe zhvillim, sipas nevojave të fëmijëve”, ka shkruar Mexhiti.
Gjatë vizitës në shtëpinë e të moshuarve, delegacioni është njohur nga afër edhe me punën e Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”. Sipas Mexhitit, me Kastratin është diskutuar se si mund të bashkohen përvoja e shoqatës dhe angazhimi i komunës për realizimin e këtij projekti.
“Familjet që e presin këtë shkollë kanë nevojë për mbështetje konkrete, ndërsa fëmijët për kushte ku mund të mësojnë, të zhvillohen dhe t’i shprehin aftësitë e tyre. Për këtë duam të punojmë bashkë”, ka theksuar kryetari i Çairit.



