ITSHKSH dhe UNT shënuan 116 vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut

Shkup, 26 gusht 2026 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizuan manifestim dedikuar 116 vjetorit të lindjes dhe 10 vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut, respektivisht Shën Terezës së Kalkutës. Aktivitetet me moton “Kujtojmë Gonxhen tonë dhe Terezën e mbarë botës” nisën me vendosje lulesh në pllakën përkujtimore të shtëpisë në të cilën u lind dhe u rrit Nënë Tereza për të vazhduar me aktivitetet tjera në hapësirat e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Rektori i UNT-së, prof. dr. Bekim Fetaji në fjalën e tij përshëndetëse tha se ndihet i nderuar që Universiteti të cilin e drejton mban emrin e Nënë Terezës. “Ky emër është një obligim më shumë për neve që t’i zbatojmë në praktikë porositë e Gonxhes sonë dhe Terezës së gjithë botës, që të bëjmë gjëra të vogla por me përkushtim dhe dashuri të madhe”. Ndërkaq, drejtori i ITSHKSH-së, prof. dr. Besnik Emini duke vlerësuar lartë veprën e Nënë Terezës tha se “Në Institut tanimë është bërë traditë organizimi i aktiviteteve dedikuar përvjetorëve të Nënë Terezës dhe më gëzon fakti që për dy vite radhazi këto aktivitete i organizojmë në bashkëpunim me UNT-në”.
Biografi i mirënjohur Don Lush Gjergji, në fjalën e tij të rastit, midis tjerash tha se Nëna Tereze nuk e ka mohuar asnjëherë përkatësinë e vet kombëtare. Madje, gjatë takimit në Osllo, në vitin 1979, kur asaj do t’i ndahej Çmimi Nobël për paqe, Don Lush Gjergji ndau këtë përjetim. “Kur i kërkova që të thotë diçka në gjuhën shqipe, Nëna Tereze e morri një copë letër dhe me dorën e saj shkroi këto fjalë në gjuhën shqipe: Unë e kam çdo herë në zemër popullin tem shqiptar. E lus Zotin që paqa dhe mirësia të mbrrin në zemrat tona. Unë lutem për Ju, Ju lutuni për mua!”.
Në figurën e Nënës Tereze gjejmë të mishëruara tiparet më të mira të popullit shqiptar, tha në fjalën e hapjes, doc. dr. Laura Papraniku Bejtullau. Sipas saj, ndjenjën e solidaritetit, shpirtin altruist dhe karakterin e çeliktë Nëna Tereze i trashëgoi nga familja e saj, nga nëna Drane dhe babai Kolë, të cilët e brumosën me dashurinë dhe respektin për njerëzit. “Shën Tereza e Kalkutës vazhdon të mbetet burim i pashtershëm frymëzimi për diskutime nga më të ndryshmet – qofshin ato të karakterit fetar, politik, kombëtar, human, estetik, gjinor, e kështu me radhë. Kjo është arsyeja që e ngjiti atë në piedestalin e njohjeve botërore dhe në njërën prej vlerave më sublime që kanë krijuar shqiptarët në historinë e tyre moderne”, u shpreh Papraniku Bejtullau.
Me mjaft interes u ndoqën referatet “Nënë Tereza në filatelinë botërore” nga prof. dr. Mustafa Ibrahimi dhe “Nënë Tereza dhe Kombet e Bashkuara” nga prof. dr. Teuta Agai Demjaha. “Studimi i Nënë Terezës në filatelinë botërore nuk është thjesht një çështje koleksionimi, por një mënyrë për të lexuar, përmes këtij dokumenti të vogël postar, historinë dhe përmasat universale të një figure që kapërceu kufijtë e kombeve, kulturave dhe kontinenteve. Çdo pullë, bllok, zarf apo material tjetër filatelik kushtuar saj përbën një dëshmi të vogël, por domethënëse, të mënyrës se si popuj dhe shtete të ndryshme kanë zgjedhur ta nderojnë dhe ta ruajnë në kujtesën e tyre figurën, veprën dhe mesazhin e saj humanitar”, tha mes tjerash Ibrahimi, ligjërues në UNT. Përmes këtyre dëshmive, sipas tij, filatelia dëshmon se Nënë Tereza nuk i përket vetëm një vendi apo një populli, sepse ajo është bërë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore botërore.
“Në qytetin e Kombeve te Bashkuara në Gjenevë, në kryeqendrën e negociatave ndërkombëtare, paqes dhe të drejtave të njeriut, çdo ditë dëgjojmë gjuhë të reja, shohim flamuj të ndryshëm dhe takojmë njerëz nga të katër anët e botës. Që të kuptohemi, na ndihmojnë përkthyesit. Në ato biseda ndërkombëtare ka një emër shqiptar që nuk ka nevojë për përkthim. Është kjo Gonxhja jonë, Nënë Tereza. Sa me fat që jemi!”, u shpreh Agai Demjaha, bashkëpunëtore e lartë shkencore në ITSHKSH. Ajo gjithashtu shpalosi pikëpamjet e Nënë Terezës për rolin e gruas në ndërtimin e paqes. “Dashuria fillon në shtëpi dhe nëse ka paqe në mjedisin e gruas, do të ketë paqe në botë!”, citoi Agai Demjaha Nënë Terezën në një nga fjalimet e saja.
Ky është viti i dytë me radhë që ITSHKSH -ja dhe UNT-ja organizojnë bashkërisht aktivitetet dedikuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës, e vlerësuar si njëra prej figurave më të ndritura të historisë sonë moderne.





