Islami: Komisioni nis evidentimin e dëmeve në kulturat e duhanit në Dollnen

Në Komunën e Dollnenit është formuar komisioni për përcaktimin e dëmeve të shkaktuara në të mbjellat e duhanit nga breshëri që goditi disa ditë më parë.
Kryetari i Komunës së Dollnenit, Blerim Islami, ka njoftuar qytetarët e prekur se mund të paraqiten në hapësirat e komunës për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga moti i keq.
“Të gjithë të prekurit nga ky rast mund të paraqiten në hapësirat e Komunës së Dollnenit”, njoftoi Islami.
Ai u ka bërë thirrje të veçantë fermerëve që të tregojnë kujdes gjatë dorëzimit të dokumentacionit, veçanërisht për parcelat e mbjella me duhan.
“Për parcelat që janë mbjellë me duhan, duhet të tregoni kujdes të veçantë me saktësinë dhe përpikërinë e dokumentacionit, në mënyrë që të mos përsëritet i njëjti rast si me subvencionimin e naftës së gjelbër”, theksoi kryetari Islami.
Nga Komuna e Dollnenit u bëhet thirrje të gjithë fermerëve të prekur që të paraqiten me dokumentacionin përkatës, në mënyrë që dëmet në kulturat bujqësore të evidentohen dhe të procedohen sipas rregullave.


