Ish-ministri i Jashtëm jordanez për çështjen palestineze: Zgjidhja me dy shtete ka marrë fun!

Ish-ministri i Jashtëm i Jordanisë tha për Middle East Eye se vendet arabe duhet të braktisin zgjidhjen me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën.

“Praktikisht, kjo nuk do të ndodhë,” tha Marwan Muasher, i cili ishte gjithashtu zëvendëskryeministër i Jordanisë dhe hapi ambasadën e parë të mbretërisë në Izrael në 1995. Për zgjidhjen e dy shteteve, ai foli në një intervistë video me Middle East Eye.

Ish-diplomati, i cili tani është nënkryetar për studime në Carnegie Endowment for International Peace në Uashington, thotë se “zgjidhja” duhet të zëvendësohet nga një “qasje e bazuar në të drejtat, ku pikënisja duhet të jetë të drejtat e barabarta midis izraelitëve dhe palestinezëve”.

“Atëherë mund të fillojmë të flasim se çfarë forme zgjidhjeje mund të arrijmë. Por çdo zgjidhje që nuk përfshin të drejta të barabarta nuk do të jetë e qëndrueshme për mendimin tim.”

Muasher tha se Jordania është shumë e shqetësuar që Izraeli synon të transferojë me forcë një numër të madh palestinezësh në Jordani.

“Jordania ka qenë gjithmonë e shqetësuar se qëllimi përfundimtar i Izraelit është transferimi masiv i palestinezëve jashtë territorit palestinez,” tha ai.

“Ndërsa ky pozicion ishte i grupeve anësore në Izrael 30 apo 40 vjet më parë, sot ata janë pjesë përbërëse e qeverisë izraelite”.

“Qeveria izraelite thotë çdo ditë se ajo që dëshiron është një shtet izraelit nga lumi në det, kështu që me të vërtetë kjo e shqetëson Jordaninë”, shtoi Muasher.

“Ajo që pamë në Gaza është një shembull jo vetëm i vrasjes së palestinezëve, por edhe për ta bërë Gazën të pabanueshme dhe për të ndikuar në transferimin masiv të palestinezëve në Egjipt. Jordania e sheh këtë situatë duke u përsëritur në Bregun Perëndimor.”

“Jordania është po aq e shqetësuar se ajo që po ndodh sot – jo në të ardhmen – në Bregun Perëndimor mund të jetë një prelud për një transferim masiv të palestinezëve në Jordani.”

Muasher thotë se kolonët izraelitë, “me mbështetjen e ushtrisë izraelite, po kryejnë spastrim etnik në zonën C të Bregut Perëndimor – kjo është 60 për qind e Bregut Perëndimor – duke u përpjekur të dëbojnë palestinezët nga vendi ku ata jetojnë… Kjo është shumë shqetësuese për Jordaninë”.

Muasher kritikoi ashpër rolin e Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili vizitoi Lindjen e Mesme 11 herë, premtoi një armëpushim dhe më pas asgjë nuk ndodhi.

“Pozicioni izraelit është aq larg nga ai palestinez sa nuk mund të ndodhë një armëpushim”, tha Muasher.

“Në thelb Izraeli dëshiron që Hamasi të lirojë të gjithë pengjet dhe më pas të ndjekë Hamasin dhe t’i vrasë ata. Ndërsa Hamasi thotë se do të lirojë të gjithë pengjet, por në këmbim të një armëpushimi të përhershëm”, shtoi ai.

“Qëllimi i Netanyahut është të zgjasë luftën për aq kohë sa të mundet. Ai nuk kujdeset për pengjet.”

Muasher tha se lufta e Izraelit në Gaza ka radikalizuar jordanezët dhe njerëzit në të gjithë botën arabe.

“Sot askush nuk dëshiron të flasë për paqen. Sot, shumica e njerëzve mendojnë se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund okupimit është përmes rezistencës së armatosur. Dhe ky nuk ka qenë kurrë rasti, as mes palestinezëve”, përfundoi Masher. /tesheshi.com/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button