Rikthehet deri në stacionin e fundit autobusi i linjës 55 në Haraçinë, njofton Daut Beqiri

Autobusi i linjës 55 është rikthyer deri në stacionin e fundit në Haraçinë, pas kërkesës dhe angazhimit të Komunës, ka bërë të ditur kryetari i komunës, Daut Beqiri.
Përmes një njoftimi, Beqiri ka konfirmuar se transporti publik do të funksionojë sërish sipas itinerarit të mëparshëm.
„Pas kërkesës dhe angazhimit tonë, autobusi i linjës 55 është rikthyer deri në stacionin e fundit në Haraçinë, ashtu siç ka funksionuar gjithmonë“, ka deklaruar Beqiri.
Ai njëkohësisht u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim dhe respekt ndaj stafit të transportit publik, me qëllim që të shmangen situata të ngjashme në të ardhmen.
„Transporti publik është në shërbim të të gjithë qytetarëve. Ta ruajmë dhe ta respektojmë së bashku“, ka theksuar Beqiri, duke shtuar se komuna do të vazhdojë angazhimet për zgjidhjen e nevojave të qytetarëve.



