Ish-komisioneri evropian për drejtësi i dyshuar për pastrim parash

Ish-komisioneri evropian për drejtësi dhe ish-ministër në disa qeveri belge, Didier Reynders, është zyrtarisht i akuzuar për pastrim parash, pasi më 16 tetor është marrë në pyetje nga organet hetimore, raportuan mbrëmë mediat në Bruksel.
Akuzat ndaj Reynders lidhen me dyshimet se ai ka “larë” para me origjinë të dyshimtë, duke blerë kryesisht me para në dorë të ashtuquajturat “e-bileta” për lojëra fati, me vlerë nga një deri në 100 euro, që mund të blihen në shumë pika shitjeje në mbarë Belgjikën. Më pas, shumën e përfituar nga këto vauçerë, të cilat i transferoheshin në llogarinë e tij për lojëra fati, ai i kalonte në llogarinë e tij personale bankare.
Sipas organeve hetimore, “aktivitetet e dyshimta” të Reynders kanë filluar që në kohën kur ai ishte ministër belg dhe kanë vazhduar deri në vitin 2023. Mendohet se në këtë mënyrë janë pastruar rreth një milion euro. Hetimi është hapur pas një kallëzimi të “Lotarisë Kombëtare” belge në vitin 2022 për “transaksione të dyshimta”.
Prokuroria e Brukselit dhe avokatët e Reynders kanë refuzuar të konfirmojnë informacionin se ish-komisioneri evropian është akuzuar zyrtarisht.
Lajmet se Reynders ishte nën hetim u publikuan në dhjetor të vitit të kaluar, vetëm disa ditë pasi ai la postin e komisionerit evropian. Në atë kohë ai ishte vetëm marrë në pyetje nga policia, e cila kreu bastisje në banesën e tij në Bruksel dhe në një shtëpi tjetër në pronësi të tij në Visul, mes qyteteve Liezh dhe Namur.
Në kuadër të hetimeve kundër Reynders, gjatë korrikut u kryen bastisje në disa lokacione, pasi Prokurorisë iu dorëzuan raportet e “Lotarisë Kombëtare” dhe të Njësisë Qendrore për Hetime Financiare (CFI). Sipas “Lotarisë Kombëtare”, Reynders dyshohet se ka “larë” rreth 200.000 euro përmes “e-biletave” të lojërave të fatit në një periudhë pesëvjeçare, ndërsa sipas CFI-së, për rreth dhjetë vjet në llogarinë e tij janë transferuar afërsisht 800.000 euro me origjinë të dyshimtë.
Gjatë marrjes në pyetje, Reynders ka deklaruar se këto para vinin nga “tregtia e antikuarëve”, ndaj policia në korrik kreu bastisje edhe në shtëpinë e tregtarit të antikuarëve Olivier Tenisen dhe në dyqanin e tij në Bruksel, si dhe në shtëpinë e ish-kryetarit të Bordit Drejtues të Hekurudhave Kombëtare të Belgjikës, Jean-Claude Fontino, pranë Namurit, i cili dyshohet se “gati çdo ditë” blinte vepra arti dhe antikuarë, kryesisht në dyqanin e Tenisenit.
Reynders ka qenë ministër i Financave të Belgjikës nga viti 1999 deri më 2011, më pas ministër i Jashtëm deri në vitin 2019, dhe për një periudhë të shkurtër ministër i Mbrojtjes. Nga viti 2007 deri në 2011, ai ishte gjithashtu përgjegjës për drejtimin e “Lotarisë Kombëtare” belge, por veprat për të cilat dyshohet janë kryer pas këtij mandati.
Hetimet ndaj tij nisën në vitin 2023, por janë mbajtur në fshehtësi deri më 1 dhjetor 2024, kur Reynders përfundoi zyrtarisht mandatin e tij si komisioner evropian.



