Irani të shtunën rifillon fluturimet ndërkombëtare drejt Stambollit dhe Muskatit në kuadër të armëpushimit

Irani do të rifillojë fluturimet ndërkombëtare të pasagjerëve nga aeroporti ndërkombëtar “Imam Khomeini” në Teheran duke filluar nga e shtuna, me Stambollin dhe Muskatit ndër destinacionet e para, transmeton Anadolu.
Drejtori ekzekutiv i aeroportit “Imam Khomeini”, Ramin Kashef Azar tha për agjencinë ILNA se fluturimet e pasagjerëve të huaj do të rifillojnë më 25 prill, pasi ishin pezulluar gjatë luftës. Ai tha se deri më tani janë autorizuar fluturime vajtje-ardhje drejt Stambollit dhe Muskatit ndërsa lejet për linja të tjera vendore dhe ndërkombëtare do të jepen gradualisht sipas kërkesës.
“Të gjitha infrastrukturat dhe sistemet e navigimit janë plotësisht funksionale dhe nuk ka probleme për zhvillimin e fluturimeve”, tha ai. Gjatë periudhës së armëpushimit, shtoi ai, aeroporti ka vazhduar të funksionojë për transport mallrash, ndërsa linjat ajrore të huaja kanë zhvendosur avionët e tyre prej tij.
– Fluturimet e brendshme rifillojnë gradualisht
Ndërkohë, sipas agjencisë shtetërore IRNA, linja ajrore kombëtare iraniane “Iran Air” ka nisur rikthimin e shërbimeve të pasagjerëve të brendshëm në fillim të kësaj jave, me fluturimin e parë në linjën Teheran-Mashhad më 22 prill.
Linja ajrore është planifikuar të vazhdojë fluturimet e brendshme më 25 dhe 26 prill si pjesë e kthimit gradual në normalitet të operacioneve. Rifillimi i fluturimeve vjen pas ndërprerjes së madhe të trafikut ajror pas fillimit të luftës më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën ofensivë të përbashkët ndaj Iranit, duke çuar në kundërsulme nga Teherani.
Lufta është pezulluar që nga 8 prilli në kuadër të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Pakistan. SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime në Pakistan fundjavën e kaluar ndërsa po bëhen përpjekje për organizimin e një raundi të ri negociatash.
Të martën, presidenti amerikan, Donald Trump tha se armëpushimi do të mbetet në fuqi pas një kërkese nga Pakistan, derisa Irani të paraqesë atë që ai e quajti një “propozim të unifikuar”.



