Irani: Nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit me SHBA-në “nuk do të ndodhë nesër”

Irani tha të shtunën se nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhet të dielën, por mund të ndodhë në ditët në vijim, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei, ka thënë se Memorandumi i Islamabadit fokusohet në përfundimin e luftës, ndërsa çështja bërthamore nuk do të diskutohet në këtë fazë.
“Do të duhet të presim dhe të shohim për kohën e saktë të nënshkrimit të memorandumit; megjithëse nuk do të jetë nesër, mundësia që kjo të ndodhë në ditët në vijim nuk përjashtohet”, ka shtuar Baghaei, cituar nga agjencia e lajmeve Tasnim.
Ai ka thënë se Irani duhet të tregojë “kujdes”, duke përmendur atë që e quajti “hezitim” të Washingtonit në deklaratat për procesin.
Negociatat e ndërmjetësuara nga Pakistani janë fokusuar në përfundimin e armiqësive mes Iranit dhe SHBA-së, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun detar dhe arritjen e konsensusit për programin bërthamor të Iranit.
Zyrtarët iranianë kanë thënë vazhdimisht se një pjesë e madhe e tekstit tashmë është dakordësuar, ndërsa kanë akuzuar Washingtonin për ngadalësim të progresit përmes ndryshimit të qëndrimeve dhe deklaratave kontradiktore.



