Inspektorja e AUV-së shkon në paraburgim për 30 ditë

Pas grilave shkon inspektorja 42-vjeçare e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), e cila kishte kërkuar ryshfet për të “mbyllur njërin sy” ndaj parregullsive në një sanduiçeri. Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit.
Prokuroria ka hapur hetim për marrje ryshfeti, pasi inspektorja është kapur duke kërkuar 250 euro në këmbim të përpilimit të një procesverbali, me të cilin do të konstatonte se kishte kryer kontrollin inspektues dhe se nuk kishte parregullsi në sanduiçeri, pra se lokali funksiononte në përputhje me të gjitha standardet. Prokurori kërkoi paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa gjykata e pranoi kërkesën.
“Për shkak të rrezikut të arratisjes, rrezikut që e dyshuara të ndikojë mbi të dëmtuarin dhe dëshminë e tij, si dhe mundësisë që, nga pozita e personit zyrtar-inspektor, ta përsërisë veprimin të cilin nuk ka pasur të drejtë ta kryejë, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin për caktimin e masës së paraburgimit”, njoftoi Prokuroria.
MPB-ja njoftoi se rasti është hapur pas një denoncimi të paraqitur.
“Edhe pse e dinte dhe ishte e vetëdijshme se personi juridik nuk posedonte procedurat për prodhim të mirë të ushqimit dhe praktika të mira higjienike në momentin kur kreu kontrollin. Shumën e lartpërmendur e ka pranuar më 25.09.2026 dhe në atë moment ia ka dorëzuar të dëmtuarit edhe procesverbalin e kontrollit të kryer inspektues”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ndryshe, inspektorja 42-vjeçare e ushqimit, nga 17 deri më 25 shtator, i kishte kërkuar 250 euro pronarit të një sanduiçerie. Me paratë dyshohet se është kapur në flagrancë në një pikë karburanti në Autokomandë.



