Gjysmëhëna e Kuqe Turke i rikthen shpresën për të ecur palestinezit 64-vjeçar nga Gaza

Pas një trajtimi të gjatë në Egjipt, palestinezi 64-vjeçar Mahmoud Fouad al-Dahshan u kthye në Rripin e Gazës me shpresën se do të ecte sërish me një protezë për këmbën e humbur gjatë luftës së Izraelit në enklavë.

Por, ushtarët izraelitë ia konfiskuan protezën gjatë kthimit nga Egjipti në maj. Sipas Dahshanit, ushtarët i kërkuan të zgjidhte mes dorëzimit të protezës ose karriges me rrota nga e cila varej. Ai zgjodhi karrigen me rrota.

Dahshan u plagos në fillim të nëntorit 2023, kur një bombardim izraelit goditi shtëpinë e familjes së tij në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës. Për shkak të plagëve të rënda, mjekëve iu desh t’ia amputonin këmbën e majtë.

Në Egjipt, ai ishte pajisur me një protezë që i mundësonte të rifitonte pjesërisht lëvizshmërinë dhe pavarësinë. Ai tha se edhe proteza e një gruaje të plagosur që udhëtonte me të u konfiskua dhe nuk iu kthye.

– Një shpresë e re

Në Qendrën për Proteza dhe Ortozë në kuadër të Komunës së Gazës, Dahshan ka nisur një trajtim të ri me mbështetjen e Gjysmëhënës së Kuqe Turke.

“Erdha këtu me shpresën se do të pajisem me një protezë të re për të zëvendësuar atë që pushtimi (izraelit) më mori dhe për të nisur një rrugëtim të ri trajtimi që do të më ndihmojë të eci dhe të lëviz pa pasur nevojë për karrige me rrota”, tha ai.

Dahshan falënderoi Gjysmëhënën e Kuqe Turke për mbështetjen e projektit që ofron proteza për të plagosurit dhe personat e amputuar në Gaza.

– Projekti në dy faza

Drejtori i Zyrës së Gjysmëhënës së Kuqe Turke në Gaza, Saadi Dabour tha për Anadolu se projekti synon t’u mundësojë personave që kanë humbur gjymtyrët të rifitojnë lëvizshmërinë dhe të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme.

Ai tha se gjatë gushtit dhe shtatorit u vendosën proteza për 10 persona ndërsa faza e dytë me 10 raste të tjera, pritet të nisë muajin pasues. Dabour tha se projekti përballet me mungesa të mëdha të lëndëve të para dhe përbërësve të nevojshëm për prodhimin e protezave në Gaza, duke e përshkruar këtë si pengesë të madhe për mijëra persona të amputuar që kanë nevojë për rehabilitim.

Drejtori për marrëdhënie me publikun në Qendrën për Proteza dhe Ortozë, Husni Muhanna tha se gjatë luftës janë regjistruar më shumë se 6.000 amputime në sistemin “Sehhaty”, të lidhur me Ministrinë palestineze të Shëndetësisë dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Ai tha se qendra përballet me mungesa të materialeve të nevojshme për prodhimin e protezave, për shkak të kufizimeve për hyrjen e furnizimeve në Gaza.

– Nga çadra në rrugë

I riu Uday Abu Warda, i cili humbi këmbën më 10 tetor 2023 pas një bombardimi izraelit, po kryente fizioterapi dhe ushtrime ecjeje me protezën e vendosur gjatë fazës së parë të projektit.

“Falë Zotit dhe pas përpjekjeve të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, e cila më siguroi këtë protezë, jam rikthyer në jetë”, tha ai.

“Pas vendosjes së protezës, ndjeva përmirësim të madh në punën dhe aktivitetet e mia. Tani mund të dal dhe të eci me miqtë e mi, pasi më parë qëndroja gjatë gjithë kohës në çadër”, shtoi Abu Warda.

Që nga 8 tetori 2023, lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 175 mijë të tjerë ndërsa 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button