Arabia Saudite: Huthit tentuan të sulmonin Mekën dhe Medinën 3 herë përgjatë 9 viteve të fundit

Arabia Saudite ka raportuar tre tentativa nga Huthit që synonin qytetet e shenjta Mekë dhe Medinë gjatë nëntë viteve të fundit, përfshirë dy incidente në shtator, duke shkaktuar reagime dënuese nga vendet arabe dhe muslimane, raporton Anadolu.

Grupi jemenas ka mohuar disa prej akuzave. Sipas një shqyrtimi të Anadolu-t të deklaratave zyrtare saudite, sulmet e fundit të pretenduara kishin në shënjestër Medinën dhe një zonë në jug të Mekës, ndërsa tentativa e parë e raportuar ndodhi në korrik 2017.

Meka dhe Medina janë shtëpi të vendeve më të shenjta të Islamit, Xhamisë së Madhe dhe Qabes në Mekë si dhe Xhamisë së Profetit në Medinë. Arabia Saudite udhëheq një koalicion që mbështet qeverinë e Jemenit të njohur ndërkombëtarisht kundër Huthive që nga marsi 2015. Grupi jemenas ka nën kontroll kryeqytetin Sana dhe disa provinca që nga shtatori 2014.

Sulmet e Huthive ndaj Arabisë Saudite u intensifikuan në shtator, pasi grupi njoftoi në korrik atë që e quajti “bllokadë detare” ndaj mbretërisë dhe më vonë pretendoi se kishte kryer sulme me raketa balistike dhe dronë ndaj objekteve dhe anijeve saudite.

– Dy incidente në shtator 2026

Të enjten, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite tha se një sulm me dron, për të cilin fajësoi Huthit, kishte në shënjestër një central elektrik në Medinë. Zëdhënësi i koalicionit, gjeneralmajor Turki al-Maliki tha se sulmi ndodhi herët të martën dhe nxori jashtë funksionit një transformator, pa ndikuar në rrjetin elektrik.

Maliki akuzoi Huthit se kishin synuar infrastrukturën civile që furnizon me energji shërbimet e Xhamisë së Profetit, duke e përshkruar incidentin si “vazhdimësi të qasjes së kësaj milicie ekstremiste në përpjekjet për të synuar dy xhamitë e shenjta”.

Sipas tij, “rezultatet e hetimit, të dhënat operacionale dhe ekzaminimi i mbetjeve të dronit të përdorur në sulm dëshmuan përfshirjen e milicisë Huthi në planifikimin dhe kryerjen e këtij akti”. Al-Maliki shtoi se koalicioni do të vazhdonte të merrte masa për t’i penguar Huthit dhe për të mbrojtur dy xhamitë e shenjta dhe pelegrinët në Mekë dhe Medinë.

Më 16 shtator, Al-Maliki tha se mbrojtja ajrore saudite kishte kapur dhe shkatërruar një dron të Huthive në jug të Mekës, para se ai të hynte në hapësirën ajrore të kufizuar të qytetit. Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite tha në atë kohë se kjo ishte tentativa e dytë e pretenduar e Huthive për të synuar Mekën, pas një incidenti të mëparshëm në korrik 2017.

Mbreti saudit Salman bin Abdulaziz dënoi tentativën e milicisë Huthi për të synuar sërish Mekën, duke thënë se incidenti kishte shkaktuar dënim ndërkombëtar, pasi shkelja e shenjtërisë së vendeve të shenjta prekte ndjenjat e myslimanëve në mbarë botën.

Imami në Xhaminë e Profetit, Abdul Mohsen al-Qasim tha gjithashtu gjatë një predikimi të së premtes se sulmi ndaj Mekës dhe Medinës ishte “një shkelje e rëndë para Zotit”.

– Akuza e vitit 2017

Më 27 korrik 2017, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite tha se kishte shkatërruar një raketë balistike të lëshuar nga Huthit në drejtim të Mekës mbi provincën Taif, rreth 69 kilometra nga qyteti i shenjtë, pa shkaktuar dëme.

Ministria e Jashtme saudite akuzoi në atë kohë Huthit për shkelje të shenjtërisë së Mekës në “një përpjekje të dëshpëruar për të penguar sezonin e Haxhit”.

– Mohimet e Huthive

Huthit nuk e mohuan menjëherë akuzën e fundit lidhur me Medinën. Megjithatë, grupi e hodhi shpejt poshtë akuzën saudite lidhur me incidentin e 16 shtatorit pranë Mekës.

Udhëheqësi i Huthive, Abdul-Malik al-Houthi dhe Hizam al-Assad, anëtar i byrosë politike të grupit, mohuan akuzën. Huthit hodhën poshtë gjithashtu akuzën e korrikut 2017, duke thënë se forcat e tyre raketore kishin synuar vetëm bazën ushtarake në Taif dhe jo Mekën.

Në shtator, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei tha në platformën X se çdo sulm ndaj Mekës duhet të dënohet, por i përshkroi raportet për një dron të kapur mbi qytet si “thjesht pretendim”, i cili nuk mund të shërbente si bazë për akuzimin e ndonjë pale.

– Dënime nga vendet arabe dhe muslimane

Njoftimet saudite lidhur me tentativat e pretenduara për të synuar Mekën në korrik 2017 dhe shtator 2026 shkaktuan dënime nga një sërë vendesh dhe organizatash arabe e muslimane.

Sipas një shqyrtimi të Anadolu-t, deklarata dënuese ndaj Huthive u lëshuan nga Turqia, Katari, Egjipti, Jemeni, Jordania, Maroku, Palestina, Siria, Bahreini, Kuvajti, Libani, Libia, Sudani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Somalia.

Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, Liga Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islam lëshuan gjithashtu deklarata dënuese ndërsa disa prej tyre paralajmëruan se sulmet që përfshijnë Mekën do të prekin muslimanët në mbarë botën.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button