Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë, një i vdekur

Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 20:30 në rrugën “Sali Nivica”, në lagjen Bregu i Diellit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së informatës, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor.
Sipas tij, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e një personi të gjinisë mashkullore.
“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën ‘Sali Nivica’ në Prishtinë. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi (mashkull). Policia në koordinim me prokurorinë ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka deklaruar Pllana.
Policia dhe prokuroria po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e të dyshuarve./Telegrafi.



