Gjermania synon të ndërtojë ushtrinë më të fortë në Evropë deri në vitin 2039 për të frenuar Rusinë

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka deklaruar se strategjia e re ushtarake e Gjermanisë synon ta bëjë atë ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë deri në vitin 2039, për të frenuar Rusinë, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Pistorius tha se forcat e armatosura gjermane (Bundeswehr) kanë miratuar strategjinë e parë gjithëpërfshirëse ushtarake për të identifikuar skenarët e kërcënimeve dhe për të rritur gatishmërinë në vitet e ardhshme.
“Po rrisim numrin e ushtarëve aktivë, rezervistëve dhe punonjësve civilë. Parimi ynë udhëzues është që të kemi të paktën 460 mijë ushtarë të gatshëm për luftë, përfshirë forcat aktive dhe rezervë”, tha Pistorius.
Ai gjithashtu njoftoi se Gjermania do të marrë më shumë përgjegjësi brenda NATO-s në vitet e ardhshme, duke i dhënë përparësi sistemeve të mbrojtjes ajrore.
“Mbrojtja ajrore për Gjermaninë dhe për NATO-n do të jetë një fushë kyçe për ne. Qoftë përmes dronëve interceptues, sistemeve të mbrojtjes ajrore apo edhe mbrojtjes kundër raketave hipersonike, këto do të jenë prioritet i lartë në vitet e ardhshme”, tha Pistorius.



