Bie besimi i konsumatorëve holandezë për shkak të shqetësimeve për konfliktin në Lindjen e Mesme

Besimi i konsumatorëve në Holandë ka rënë ndjeshëm ndërsa lufta në Lindjen e Mesme ndikon gjithnjë e më shumë në pritjet financiare të familjeve, raportoi sot NOS News, duke cituar të dhëna nga Statistikat e Holandës (CBS), transmeton Anadolu.
Shqetësimet për rritjen e çmimeve po bëjnë që më shumë konsumatorë të shtyjnë blerjet e mëdha, sipas të dhënave të CBS. CBS tha se besimi i konsumatorëve ra në minus 44 në prill, duke shënuar një nga rëniet më të mëdha mujore në vitet e fundit.
“Me besim neutral të konsumatorëve, matja e CBS qëndron në zero. Gjysma e popullsisë është pozitive, gjysma tjetër negative”, citon transmetuesi ekonomistin Frank Notten.
Ai theksoi se besimi kishte rënë më parë në një minimum historik prej minus 59 në shtator 2022 për shkak të krizës energjetike pas luftës në Ukrainë.
Notten tha se rënia e prillit nga minus 30 në mars në minus 44 ishte vërtet jashtëzakonisht e lartë dhe rënia e dytë më e madhe që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1986. Ai tha se ndjenja e konsumatorëve duket e lidhur ngushtë me zhvillimet gjeopolitike.
“Që kur Trumpi erdhi në pushtet, lajmet kanë ardhur me shpejtësi të madhe dhe besimi i konsumatorëve duket se po ndjek këtë model”, tha ai duke iu referuar konfliktit në Lindjen e Mesme dhe pasigurive të tjera globale.
CBS tha se nuk mund të identifikonte një shkak të vetëm për rënien e fundit, por tha se pasiguria mbi ngjarjet globale po rëndon mbi pritjet e familjeve. Konsumatorët u thanë studiuesve se ata janë gjithnjë e më të përqendruar në shpenzimet thelbësore, ndërsa shtyjnë blerjet më të mëdha.
“Gjithmonë ke nevojë për ushqime dhe është më e lehtë të reduktosh blerjet më të mëdha”, tha Notten.
CBS shtoi se rëniet e ndjeshme të besimit të konsumatorëve shpesh mund të sinjalizojnë një aktivitet më të ngadaltë ekonomik, megjithëse ndjenja gjithashtu mund të rikuperohet shpejt në varësi të kushteve më të gjera.



