Gjermani, mbështetja ushtarake e qeverisë për Izraelin ngjall debat

Vendimi i qeverisë gjermane për të vazhduar me mbështetjen ushtarake për Izraelin, pavarësisht ofensivës gjenocidale të Tel Avivit në Rripin e Gazës, ka ndezur debat në mbarë vendin, transmeton.

Niema Movassat, një politikan i Partisë së Majtë, kritikoi ashpër kancelarin Olaf Scholz dhe partnerët e tij të koalicionit për planifikimin e vazhdimit të dërgesave të armëve në Izrael, duke i dhënë fund ngrirjes disamujore të dërgesave.

“Në Gaza njerëzit po vdesin nga uria. Gaza është e pabanueshme. Izraeli po sulmon Libanin, UNIFIL-i është në shënjestër të ushtrisë izraelite. Ndërkohë në Gjermani po diskutohet seriozisht për shpërblimin e këtyre shkeljeve të ligjit ndërkombëtar me dërgesa armësh. Krejtësisht e humbur”, tha Movassat në plaftformën sociale X.

Partia e Të Gjelbërve e Gjermanisë, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës të kancelarit Scholz, bllokoi eksportin e armëve të luftës në Izrael në muajt e fundit, nga frika se dërgesat mund të përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Sipas gazetës Bild, të Gjelbrit hoqën kundërshtimin e tyre javën e kaluar pasi qeveria mori “garanci me shkrim” nga Izraeli se nuk do të përdorë armë gjermane në një “gjenocid”.

Mediat lokale raportuan se licencat e ndryshme të eksportit, duke përfshirë pjesë këmbimi për tanket dhe helikopterët e ushtrisë izraelite, tashmë janë miratuar.

Analisti politik gjerman, Torsten Menge, kritikoi ashpër zv/kancelarin Robert Habeck dhe ministren e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, për heqjen e kundërshtimit të tyre dhe theksoi se marrja e garancive të tilla nga qeveria izraelite nuk ishte e mjaftueshme që Gjermania të përmbush detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar.

“Nëse Baerbock dhe Habeck kërkojnë një garanci me shkrim nga Izraeli se nuk do të përdorë armë gjermane për gjenocid, atëherë ata janë të vetëdijshëm se Izraeli mund të jetë duke kryer gjenocid,” tha Menge në X.

“Skandali është se qeveria gjermane e di se Izraeli po kryen krime lufte dhe gjenocid dhe ende dërgon armë. Edhe nëse Izraeli nuk i përdor armët drejtpërdrejt, ne po mbështesim në mënyrë indirekt krimet e Izraelit”, theksoi ai.

Gjermania ka qenë një aleat i vendosur i Izraelit dhe zyrtarët qeveritarë vazhdimisht kanë thënë se vendi mban përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës së tij naziste.

Në vitin 2023, qeveria gjermane i miratoi Izraelit pajisje ushtarake dhe armë luftarake në vlerë prej 326.5 milionë euro. Shifra zyrtare e këtij viti ishte përtej 15 milionë euro.

Dje, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sebastian Fischer, tha nuk shohin “shenja se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza”. Ai përsëriti se vendi do të vazhdojë të mbështesë Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit.

Deklaratat e tij erdhën disa orë pasi avionët luftarak izraelitë goditën tendat që strehonin palestinezët e zhvendosur në Spitalin Al-Aksa në Gazën qendrore, duke vrarë të paktën katër civilë dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Videot nga vendi i ngjarjes treguan disa civilë palestinezë të djegur të gjallë, derisa shpëtimtarët po përpiqeshin të shpëtonin njerëzit dhe të frenonin zjarrin në oborrin e spitalit.

Që kur Izraeli filloi luftën kundër Hamasit në Gaza tetorin e kaluar, në enklavën palestineze janë vrarë të paktën 42.200 palestinezë dhe janë plagosur mbi 98.400 të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën e rrethuar, ku miliona palestinezë janë zhvendosur, duke u përballur me uri dhe mungesa akute të ndihmës mjekësore dhe gjërave të tjera thelbësore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button