Gazifikimi në RMV: Punime në terren, projekte të reja dhe debat për buxhetin

Ndërtimi i gazsjellësit të interkoneksionit me Greqinë, përgatitjet për lidhjen e gazit me Serbinë dhe aktivitetet për vënien në funksion të segmenteve të ndërtuara brenda vendit janë proceset konkrete përmes të cilave vazhdon zhvillimi i infrastrukturës së gazit në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale dhe NOMAGAS-i po punojnë për krijimin e kushteve për furnizim më të sigurt, qasje në burime të ndryshme të gazit natyror dhe lidhje më të forta rajonale, bëjnë të ditur nga ministria.
“Te interkonektori me Greqinë, me gjatësi prej 68 kilometrash në territorin e Maqedonisë, po zhvillohen punimet ndërtimore. Sipas të dhënave të projektit, të dorëzuara më 19 tetor, janë furnizuar 64 kilometra tuba, janë salduar 43 kilometra, ndërsa 18 kilometra janë vendosur në kanal. Procesi i shpronësimit është realizuar në masën 97 për qind.
Kontrata për realizimin e punimeve është nënshkruar më 7 maj 2025, ndërsa përfundimi i planifikuar është në mesin e vitit 2027. Struktura financiare e projektit përfshin një grant investues dhe marrëveshje kredie me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo lidhje pritet të krijojë mundësi shtesë për furnizim me gaz natyror dhe të rrisë sigurinë e sistemit.
Paralelisht, po përgatitet interkonektori me Serbinë, me gjatësi të parashikuar prej 23 kilometrash në territorin e Maqedonisë. Pas marrëveshjes së 27 gushtit 2026, kanë filluar aktivitetet për përcaktimin e trasesë dhe hartimin e projektit. Sipas dokumentacionit të projektit, financimi parashihet të sigurohet nga mjetet vetanake të NOMAGAS-it”.
Nga ministria shtojnë se po punohet edhe për krijimin e kushteve për vënien në përdorim të segmenteve të gazsjellësve brenda vendit.
“Në segmentet Kleçovcë–Negotinë dhe Negotinë–Manastir, sipas materialeve të dorëzuara, po zhvillohen aktivitete për servisimin, kontrollin e integritetit dhe tharjen e tubacioneve. Më pas, këto aktivitete parashikohet të vazhdojnë edhe në segmentin Shkup–Tetovë–Gostivar. Të tre segmentet kanë gjatësi të përgjithshme prej 277 kilometrash. Kontrollet teknike dhe përgatitjet janë hapa të domosdoshëm për vënien e tyre të sigurt në funksion.
Këto aktivitete dëshmojnë se procesi i ndërlidhjes me rrjetin e gazit po vazhdon, me projekte që ndodhen në faza të ndryshme: ndërtim, projektim dhe përgatitje për përdorim. Përparimi duhet të vlerësohet në bazë të punimeve të realizuara dhe përmbushjes së kushteve teknike, e jo përmes cilësimeve të përgjithshme politike se po hiqet dorë nga gazifikimi.
Sa u përket reagimeve të LSDM-së dhe Levicës lidhur me rishikimin e buxhetit, ministria sqaron se përshtatjet buxhetore shqyrtohen në bazë të destinimit të mjeteve, kushteve për përdorimin e tyre dhe mundësisë për realizim gjatë vitit aktual.
“Ndryshimi në nënprogramin ‘Gazifikimi’ nuk duhet të barazohet automatikisht me shkurtimin e mjeteve për ndërtimin e gazsjellësve. Pavarësisht sqarimeve të dhëna më herët, vazhdon të përsëritet pretendimi i pasaktë se përshtatja buxhetore nënkupton heqje dorë nga gazifikimi, duke e çorientuar kështu opinionin publik.
Mjetet për të cilat ministria ka dhënë më parë sqarime ishin planifikuar për blerjen dhe magazinimin e gazit natyror për rezervat strategjike. Për përdorimin e tyre nuk mjafton vetëm sigurimi i gazit dhe i hapësirës për magazinim; nevojitet edhe kapacitet i sigurt transportues për ta sjellë atë në Maqedoni. Disponueshmëria e kufizuar e kapaciteteve ndërkufitare drejt Bullgarisë ndikon në mundësinë që kjo blerje të realizohet sipas dinamikës së planifikuar. Prandaj, përshtatja buxhetore duhet të shqyrtohet në kontekstin e kushteve reale të furnizimit dhe jo si vendim për braktisjen e gazifikimit.
Ndërtimi i infrastrukturës së gazit është një proces i veçantë, me kontrata konkrete, burime financimi dhe faza teknike. Përparimi i interkonektorit me Greqinë, përgatitjet për lidhjen me Serbinë dhe aktivitetet në segmentet vendore janë treguesit mbi bazën e të cilëve duhet të vlerësohet realizimi i projekteve. Ministria mbetet e përkushtuar për vënien e sigurt në funksion të infrastrukturës dhe krijimin e kushteve për furnizim më të sigurt dhe më të diversifikuar me gaz natyror”.



