Izraeli vazhdon inkursionet në Khalil të Bregut Perëndimor për të gjashtën ditë radhazi

Ushtria izraelite vazhdoi sot për të gjashtën ditë radhazi inkursionet ushtarake në Khalil (Hebron), në jug të Bregut Perëndimor të pushtuar, duke kryer bastisje dhe duke ashpërsuar kufizimet ndaj qytetit, raporton Anadolu.

Burime lokale i thanë Anadolu-s se forcat izraelite vazhduan bastisjet në lagjet e Khalilit dhe në vendbanimet e guvernatoratit.

Burimet thanë se forca shtesë izraelite, të shoqëruara nga automjete ushtarake, bastisën disa vendbanime të guvernoratit dhe kampin e refugjatëve Al-Fawwar në jug të qytetit rreth mesnatës, duke hyrë në shtëpitë palestineze dhe duke i kontrolluar ato.

Ushtria ashpërsoi kufizimet ushtarake në hyrjet e Khalilit. Kamerat e Anadolu-s dokumentuan forcat izraelite duke ndaluar palestinezët në pikat e kontrollit ushtarak pranë rrethrrotullimit Al-Jaladah në Khalil, duke i kontrolluar dhe duke i trajtuar në mënyrë të ashpër.

Ofensiva filloi të premten, pas një sulmi nga dy palestinezë, në të cilin u vranë dy ushtarë izraelitë dhe u plagosën tre të tjerë. Më vonë, ushtria vrau dy palestinezët. Komuna e Khalilit njoftoi në një deklaratë të martën në mbrëmje se numri i palestinezëve të zhvendosur në qytet ishte rritur në 4.969, të cilët i përkasin 780 familjeve, si pasojë e ofensivës së vazhdueshme ushtarake.

Ushtria izraelite arrestoi 85 palestinezë në guvernatoratin e Khalilit nga e premtja deri të hënën, sipas një deklarate të Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, një organizatë joqeveritare.

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur po përshkallëzohen sulmet e ushtrisë izraelite dhe dhuna e pushtuesve ndaj palestinezëve në të gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, në tetor të vitit 2023.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button