Gashi uron Radevin, pret qeveri stabile në Bullgari dhe mbylljen e çështjeve të hapura mes dy vendeve

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot uroi Rumen Radev për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe tha se shpreson se më në fund, në Bullgari do të ketë një qeveri të qëndrueshme politike dhe se do të mbyllen çështjet e hapura mes Sofjes dhe Shkupit, përcjell TV21.

“Është normale që për ne si shtet është në dobi të kemi një qeveri të qëndrueshme politike në Sofje, që të mund të mbyllim çështjet që janë të hapura. E dini se kjo Qeveri që nga fillimi ka një zotim të qartë se rruga evropiane është pjesë e agjendës dhe prioritetit tonë. Por, sigurisht, dilemat për të cilat tashmë është e qartë se cilat janë, duhej t’i zgjidhnim së bashku me një qeveri politike në Bullgari”, theksoi Gashi.
Kryetari i Kuvendit shpreson dhe pret që sa më shpejt të formohet qeveria dhe të vendoset kontakti dhe në këtë mënyrë, “të kapet treni” dhe të fillohet me hapjen e kapitujve në rrugën drejt integrimit.

I pyetur për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, ai u përgjigj se Kuvendi është i gatshëm dhe mund të nisë menjëherë procedurën, por nevojitet vetëm një marrëveshje politike dhe garanci se nuk do të ketë çështje të tilla në lidhje me identitetin në të ardhmen.
“Janë të qarta procedurat për ndryshimin e Kushtetutës dhe dihet kush mund të jetë propozues”, theksoi Gashi.

Ai shtoi se propozues mund të jenë edhe deputetët, Qeveria dhe presidenti i shtetit.
“Vetëm të arrihet marrëveshja, pastaj procedura mendoj se do të jetë pjesa më e lehtë”, theksoi kryetari i legjislativit.

Të gjithë deputetët shqiptarë në Kuvend, theksoi Gashi, e dëshirojnë këtë sa më shpejt. Por ai kujtoi se nevojiten 80 vota deputetësh për ndryshimin e Kushtetutës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button