Gashi takon Varnes: SHBA mbetet partner kyç në rrugën euroatlantike të vendit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim pune me ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Nicole Varnes, ku u konfirmua partneriteti i ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe mbështetja amerikane për proceset demokratike dhe integruese.
Gashi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rolin e Kuvendit dhe avancimin e reformave.
“Konfirmuam partneritetin e fuqishëm dhe miqësinë e qëndrueshme ndërmjet vendeve tona, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në forcimin e institucioneve demokratike, rolit të Kuvendit dhe proceseve reformuese”, deklaroi Gashi.
Kryeparlamentari vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar rëndësinë e saj për zhvillimin demokratik të vendit.
“Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i çmuar dhe një mbështetës i rëndësishëm në rrugën tonë drejt zhvillimit demokratik dhe integrimit euroatlantik”, u shpreh Gashi.
Takimi riafirmoi marrëdhëniet e mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe angazhimin për vazhdimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.



