G7-a do të diskutojë fletarrestimet për Netanyahun dhe Gallantin

Italia njoftoi se vendet e G7-ës do të diskutojnë fletarrestimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant në takimin e ministrave të jashtëm më 25 nëntor, transmeton Anadolu.

“Ne e respektojmë dhe mbështesim Gjykatën Ndërkombëtare Penale, por besojmë se roli i saj duhet të jetë ligjor dhe jo politik”, u tha gazetarëve zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani në një ngjarje në Torino.

“Ne do të shqyrtojmë dokumentet për të kuptuar arsyet e vendimit të gjykatës,” shtoi ai.

Tajani po komentonte urdhërarrestet e GJNP-së dhe takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të G7-ës, i cili do të mbahet në Itali javën e ardhshme. Ministrat e jashtëm të vendeve të G7-ës, që përfshin SHBA-në, Gjermaninë, Francën, Kanadanë, Britaninë, Italinë dhe Japoninë, do të mblidhen në qytetet Anagni dhe Fiuggi më 25-26 nëntor, shtoi ai.

Gjykata me bazë në Hagë të enjten njoftoi urdhërarrestet për Netanyahun dhe Gallantin “për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera nga të paktën 8 tetori 2023 deri të paktën më 20 maj 2024”, datë kur prokurori i GJNP-së Karim Khan kërkoi lëshimin e fletarrestimeve.

Duke vepruar kështu, ajo gjithashtu hodhi poshtë njëzëri sfidimin ndaj juridiksionit nga ana e Izraelit sipas neneve 18 dhe 19 të Statutit të Romës.

Në lidhje me krimet e dyshuara, gjykata tha se “ka gjetur baza të arsyeshme” për të besuar se Netanyahu dhe Gallant “secili mbajnë përgjegjësi penale për krimet e mëposhtme si bashkëpunëtorë për kryerjen e akteve së bashku me të tjerët: krimi i luftës i urisë si një metodë lufte; dhe krimet kundër njerëzimit vrasje, persekutim dhe akte të tjera çnjerëzore”.

Urdhrat e arrestit vijnë ndërsa ofensiva gjenocidale e Izraelit në Gaza kohët e fundit ka hyrë në vitin e saj të dytë, duke vrarë tashmë rreth 44.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur mbi 103.000 të tjerë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button