Forcat izraelite kryejnë inkursion në një fshat në rajonin e Quneitras në jug të Sirisë

Forcat izraelite hynë me tre automjete ushtarake në një fshat në provincën jugore siriane të Quneitras, në një kohë kur avionë zbulues fluturonin mbi zonë, raportuan mediat shtetërore siriane, transmeton Anadolu.
Kanali televiziv Alikhbariah njoftoi se trupat izraelite përparuan drejt fshatit Samadaniya Lindore, në rajonin e Quneitras ndërsa avionë zbulues u panë duke fluturuar mbi zonë. Ushtria izraelite nuk ka bërë asnjë koment lidhur me inkursionin e raportuar. Ngjarja vjen në një kohë kur inkursionet izraelite në jug të Sirisë janë përsëritur, veçanërisht në provincat Quneitra dhe Daraa.
Më 12 nëntor, forcat izraelite hynë në fshat dhe ndaluan një civil nga zona e afërt Mazraat al-Fityan, sipas mediave siriane. Kjo ndodhi pasi një patrullë me 14 automjete ushtarake izraelite hyri në pjesën perëndimore të fshatit Samadaniya më 8 nëntor, ku ushtarët bastisën banesa.
Siria të martën kërkoi ndërhyrje ndërkombëtare për të ndalur inkursionet izraelite, duke paralajmëruar se sulmet e vazhdueshme ndaj civilëve në Quneitra dhe Daraa rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe perspektivat për paqe.
Që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Asadit në dhjetor 2024, Izraeli ka zgjeruar praninë e tij ushtarake në zonën tampon mes Sirisë dhe Lartësive të pushtuara të Golanit si dhe ka avancuar në pjesë të jugut të Sirisë, pavarësisht Marrëveshjes për Ndarjen e Forcave të vitit 1974.
Siria i ka dënuar vazhdimisht inkursionet, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit të saj dhe të së drejtës ndërkombëtare.



