Kryeministri kroat: Presim informacione nga Serbia për vendndodhjen e varrezave masive

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq deklaroi se duhet pritur formimi i qeverisë së re në Serbi para se të priten përparime në bashkëpunim, veçanërisht sa i përket hapjes së arkivave dhe zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Gjatë pjesëmarrjes në Marshimin Përkujtimor në Vukovar, ku shënohet 35-vjetori i rënies së qytetit, Plenkoviq tha se ndjenja e popullit kroat ndaj viktimave të Vukovarit mbetet po aq e gjallë edhe pas 35 vjetësh. “Kanë kaluar 35 vjet, është një kohë e gjatë, por ndjenja e popullit kroat ndaj sakrificës së Vukovarit, ndaj atyre që dhanë më të shtrenjtën për lirinë dhe shtetin tonë, është po aq e gjallë”, tha Plenkoviq për televizionin N1.

Duke kujtuar vuajtjet e qytetit gjatë luftës, Plenkoviq përmendi një konferencë të fundit në Paris, ku rikujtoi se Vukovari ishte qyteti i parë evropian i rrafshuar me tokën pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e krahasoi shkatërrimin e tij me atë që përjetoi qyteti ukrainas Mariupol gjatë luftës me Rusinë.

Lidhur me personat e zhdukur, kryeministri kroat tha se deri më tani janë identifikuar 353 trupa të pajetë të mbrojtësve dhe civilëve ndërsa vazhdon kërkimi për 1.725 persona të tjerë. Ai theksoi se për përfundimin e këtij procesi nevojiten informacione nga personat që e dinë vendndodhjen e varrezave masive dhe vendeve ku janë zhvendosur mbetjet mortore.

Si shembull, ai përmendi lokacionin “Petrovacka Dola”, ku pas gërmimit të 17 metrave material mbetjesh janë gjetur trupat e 38 personave. Plenkoviq tha se Kroacia pret informacione konkrete nga Beogradi, duke theksuar se çështja e personave të zhdukur lidhet me kapitullin 23 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, që përfshin gjyqësorin dhe të drejtat themelore.

Ai shtoi se Kroacia nuk ka marrë deri më tani informacione të mjaftueshme dhe se nuk do të ketë tolerim ndaj Serbisë dhe Malit të Zi për sa i përket përmbushjes së kërkesave kroate. Sipas tij, Mali i Zi ka identifikuar 14 persona dhe pret të dhëna të mëtejshme ndërsa pritjet ndaj Serbisë janë më të mëdha për shkak të numrit më të madh të informacioneve që ndodhen në Beograd.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button