Projektligj i ri për automjetet në RMV, gjobë prej 100 euro nëse keni ndryshuar numrin dhe nuk e paraqitni

Pronarët e automjeteve në Maqedoninë e Veriut mund të gjobiten me 100 euro nëse nuk e paraqesin ndryshimin e numrit të telefonit ose adresës elektronike brenda tri ditësh.
Ky është një nga detyrimet e parapara në ndryshimet e propozuara të Ligjit për Automjetet.
Sipas propozimit, ndryshimi duhet të paraqitet në një stacion të autorizuar për kontroll teknik.
Ndryshimet parashohin edhe vendosjen e ngjitëseve elektronike në automjete, përmes të cilave policia do të mund të kontrollojë vlefshmërinë e regjistrimit, sigurimit dhe kontrollit teknik.
Për heqjen, dëmtimin ose bartjen e ngjitëses në një automjet tjetër parashihet gjobë prej 500 euro. Megjithatë, ndryshimet ende janë në procedurë kuvendore dhe nuk kanë hyrë në fuqi.



