FIFA pezullon lojtarë të Argjentinës dhe gjobit federatën e futbollit për incidentet në Kupën e Botës

FIFA ka gjobitur Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA) dhe ka pezulluar tre lojtarë dhe një zyrtar të ekipit për incidente gjatë Kupës së Botës FIFA 2026, përfshirë një përleshje pas ndeshjes finale kundër Spanjës, transmeton Anadolu.
Mesfushori argjentinas Leandro Paredes mori dënimin më të rëndë, me Komitetin Disiplinor të FIFA-s që e pezulloi për 10 ndeshje dhe e gjobiti me 90.000 dollarë.
Mbrojtësi Nahuel Molina u pezullua për shtatë ndeshje dhe u gjobit me të njëjtën shumë, ndërsa mesfushori Thiago Almada u dënua me një ndeshje pezullim dhe gjobë prej 30.000 dollarësh.
Zyrtari i kombëtares argjentinase, Roberto Ayala, u pezullua gjithashtu për tre ndeshje dhe u gjobit me 30.000 dollarë.
Mesfushori spanjoll Gavi u dënua me një ndeshje pezullim dhe gjobë prej 30.000 dollarësh për përfshirjen e tij në incident.
Sanksionet pasuan një përplasje pasi Spanja mposhti Argjentinën në finalen e Kupës së Botës në SHBA muajin e kaluar.
FIFA gjithashtu gjobiti AFA-në me 321.000 dollarë për disa shkelje disiplinore gjatë turneut, përfshirë shfaqjen e një pankarte lidhur me Ishujt Falkland, të njohur në Argjentinë si Malvinas, për të cilët ka mosmarrëveshje, pas gjysmëfinales kundër Anglisë.
Nga shuma e gjobës, 100.000 dollarë duhet të investohen në një plan kundër diskriminimit, ndërsa ekzekutimi i një pjese tjetër prej 100.000 dollarësh është pezulluar dhe i është nënshtruar një periudhe prove.
Argjentina gjithashtu u urdhërua t’i zhvillojë dy ndeshjet e ardhshme si nikoqire me kapacitetin e stadiumit të kufizuar në 50 për qind.
FIFA tha se sanksionet lidhen me shkelje që përfshijnë “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të natyrës josportive”, diskriminimin, sjelljen e pahijshme dhe shkeljen e rregullave të sigurisë.
Organi drejtues i futbollit botëror tha se vendimet pasuan procedurat disiplinore për incidentet gjatë Kupës së Botës dhe se ndaj tyre mund të parashtrohet ankesë, aty ku kjo është e zbatueshme.



