Erdogan në Beograd, rithekson rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se në takimin e tij me homologun serb Aleksandar Vuçiq ka nënvizuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, tha se “Është e qartë rëndësia e arsyes së shëndoshë në qasjen ndaj tensioneve të fundit Serbi-Kosovë”, raporton Anadolu.
Erdoğan dhe Vuçiq mbajtën një konferencë pas takimit të tyre në Pallatin Presidencial, mbledhjes së katërt të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Türkiye-Serbi dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe.
Ai tha se në mbledhjen e katërt të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë kanë trajtuar marrëdhëniet dypalëshe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke shtuar se këto konsultime u kanë dhënë sinjale se mund të ketë zhvillime të rëndësishme për të ardhmen.
Duke theksuar se me Serbinë kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi, në fusha si energjia, tregtia, teknologjia, sporti, sigurimet shoqërore, menaxhimi i fatkeqësive dhe media, presidenti turk tha: “Nënshkruam 11 marrëveshje, që do të forcojnë bazën kontraktuale të marrëdhënieve tona. Shkëmbyem mendime për çështje globale dhe rajonale, veçanërisht për Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe Ukrainën”.
Erdoğan rikujtoi se në vitin 2021 kanë hapur Konsullatë të Përgjithshme në Novi Pazar, ndërsa në 2022, në Nish kanë hapur zyrat konsullore.
“Marrëdhëniet tona ekonomike dhe tregtare përbëjnë lokomotivën e bashkëpunimit tonë dypalësh. Vëllimi i tregtisë me Serbinë kaloi 2 miliardë dollarë për dy vjet radhazi. Vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të arritur objektivin e përbashkët prej 5 miliardë dollarësh”, tha Erdoğan, duke shtuar se në 12 vitet e fundit, investimet e tyre në Serbi janë rritur nga 1 milionë dollarë në 405 milionë dollarë.
– “Është e qartë rëndësia e arsyes së shëndoshë në qasjen ndaj tensioneve të fundit Serbi-Kosovë”
Përveç marrëdhënieve bilaterale, Erdoğan më tej tha se me Vuçiqin kanë shkëmbyer mendime mbi zhvillimet aktuale rajonale dhe globale. “Nënvizuam edhe një herë rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Në këtë drejtim, është e qartë rëndësia e arsyes së shëndoshë në qasjen ndaj tensioneve të fundit midis Serbisë dhe Kosovës. Konfirmuam gjithashtu vendosmërinë e vendeve tona për ruajtjen e stabilitetit në Bosnje e Hercegovinë. Theksova rëndësinë e qasjes konstruktive të Serbisë për të lënë pas brishtësinë politike në Bosnjë e Hercegovinë”, theksoi presidenti turk.
Erdoğan gjithashtu tha se në takimin me Vuçiqin, ai ka shprehur edhe një herë mbështetjen e tij për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe se ka ndarë me homologun e tij se janë të vendosur të vazhdojnë përpjekjet e tyre drejt një paqeje të përhershme.
– Thirrje për njohjen e shtetit palestinez
Mes tjerash, Erdoğan tha se në axhendën e bisedimeve të tyre ka qenë edhe tragjedia në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë në Gaza, por edhe Libani.
“Është thelbësore të krijohet një shtet i pavarur, sovran dhe gjeografikisht i integruar i Palestinës, me Kudsin Lindor si kryeqytet, bazuar në kufijtë e vitit 1967. Pas 7 tetorit, 9 vende kanë njohur shtetin e Palestinës. Edhe një herë ua rikujtoj shteteve që s’e kanë njohur Palestinën, ta bëjnë një hap të tillë. Komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë kryesore për dërgimin e mesazheve të duhura Izraelit dhe përfundimin e masakrës që po ndodh”, shtoi presidenti turk.
– Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes
Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, lidhur me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, Erdoğan tha se ky bashkëpunim bazohet në sigurimin e ruajtjes së paqes.
Ai theksoi se përmbajtja e kësaj çështjeje ngelet midis dy vendeve.
“Kolegët tanë do t’i zhvillojnë këto punime dhe diskutime dhe do t’i ndërmarrim hapat së bashku. Ekzistojnë mundësi nga ana jonë dhe ekzistojnë mundësi në Serbi. Ne do t’i vlerësojmë këto në mënyrën më të mirë dhe në këtë mënyrë do të ecim drejt së ardhmes”, u shpreh Erdoğan.
I pyetur nëse bashkëpunimi përfshin blerjen e mjeteve ajrore turke pa pilot apo bëhet fjalë për një lloj tjetër bashkëpunimi, presidenti turk tha:
“Mundësitë e Türkiyes për mjetet ajrore pa pilot, natyrisht, do të zënë vendin e tyre në hapat që do të ndërmerren drejt kësaj industrie të mbrojtjes. Siç e thashë për hapat që do të ndërmerren drejt industrisë së mbrojtjes, Serbia i ka sot mundësitë, ne i kemi mundësitë. Ne, dy vendet mike, do ta vlerësojmë së bashku, prandaj ua dhamë detyrat ministrave tanë të Punëve të Jashtme dhe krerëve të industrisë së mbrojtjes. Ata do të kryejnë punën e tyre dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë hapat tanë”.
Ndryshe, përpara vizitës në Serbi, Erdoğan dje vizitoi Shqipërinë, ku u takua me krerët e shtetit dhe përuroi Xhaminë e Namazgjasë të ndërtuar me kontributet e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Türkiyes dhe Fondacionit të Dijanetit turk.